Qyteti gjerman i Hanoverit ka fikur ngrohjen dhe ka kaluar në ujë të ftohtë në të gjitha ndërtesat publike për shkak të krizës me gazin rus, shkruan BBC të enjten.
Është qyteti i parë i madh që ndalon ujin e nxehtë pasi Rusia uli në mënyrë dramatike furnizimin me gaz të Gjermanisë.
Në një përpjekje për të kursyer energji, qyteti verior i Gjermanisë, Hanoveri, ka vendosur që uji i nxehtë nuk do të jetë më i disponueshëm për larjen e duarve në ndërtesat publike, në dushet e pishinave, sallave sportive dhe palestra.
Uji në shatërvanët publik është ndaluar për të kursyer energji dhe nuk do të ketë drita gjatë natës në ndërtesat kryesore si bashkia dhe muzetë.
Kryebashkiaku Belit Onay ka thënë se qëllimi ishte ulja e konsumit të energjisë së qytetit me 15% si reagim ndaj një “mungese të menjëhershme të gazit” që përbën një sfidë të rëndësishme për qytetet e mëdha.
Rregullat zbatohen edhe për ngrohjen. Ndërtesat publike nuk do të kenë ngrohje nga prilli deri në fund të shtatorit të çdo viti. Temperaturat e dhomës do të jenë të kufizuara në maksimum 20C për pjesën tjetër të vitit – me disa përjashtime.
Qyteti po ndalon gjithashtu kondicionerët portativë dhe radiatorët.
Gjermani është në luftë për të krijuar rezervat e saj të gazit para dimrit. Qytetet e tjera, si Augsburgu në Bavari, veçse kanë prezantuar masat si fikja e dritave nëpër shatërvanë.
Gjermania është mbështetur prej kohësh në gazin rus për nevojat e saj energjetike, por kohët e fundit ka akuzuar Rusinë për kufizimin e rrjedhës në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së për luftën në Ukrainë – diçka që Rusia e mohon.
Furnizimi me gaz rus tani përbën rreth një të katërtën e nevojave të vendit, krahasuar me më shumë se gjysmën para luftës në Ukrainë.