Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim sot në mëngjes Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot dhe zëvendësambasadorin gjerman në Kosovë, Matthias Conrad.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në tre komunat në veri të vendit pas ditës së parë të punës së kryetarëve të rinj dhe dhuna e shkaktuar ndaj ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve nga grupe ekstremiste serbe.
U pajtuan për rëndësinë jetike të de-eskalimit të situatës. Kryeministri i njoftoi për profesionalizmin e lartë dhe integritetin e padiskutueshëm të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës pa asnjë gabim apo defekt.
Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen. U theksua gjithashtu nevoja për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj.
Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin dhe zëvendësambasadorin për interesimin e vazhdueshëm të Francës dhe Gjermanisë si dhe kontributin e tyre.