Në një njoftim zyrtar, koalicioni qeveritar midis SPD, FDP dhe të Gjelbërve në Gjermani ka paralajmëruar një ofensivë dëbimesh ndaj emigrantëve të huaj. Qeveria federale do të emërojë një përfaqësues të posaçëm për të hartuar këto marrëveshje.
“Ne po fillojmë një ofensivë riatdhesimi në mënyrë që të zbatojmë në veçanti deportimin e kriminelëve dhe atyre që janë të rrezikshëm”.
Referuar vitit të kaluar, Gjermania ka regjistruar dukshëm më pak dëbime të emigrantëve të huaj në krahasim me vitet para pandemisë së COVID. Sipas Ministrisë Federale të Brendshme, në vitin 2021 janë dëbuar nga Gjermania 11 982 qytetarë të huaj. Në vitin 2020, i cili solli më shumë kufizime për shkak të pandemisë u kryen gjithsej 10 800 dëbime. Ndërkohë në vitin 2019 ka pasur pothuajse 22 100 dëbime.
Shumica e dëbimeve vitin e kaluar janë kryer me avion kryesisht në Gjeorgji dhe Shqipëri. 1116 qytetarë të huaj të detyruar të largohen nga Gjermania u transportuan me avion në Gjeorgji dhe 908 persona u dërguan në Shqipëri.
Pas Shqipërisë, vendi me më shumë raste të emigrantëve të huaj që janë deportuar renditet Siria.
Në 470 raste, personat që vinin nga Siria dhe qëndronin ilegalisht në Gjermani u deportuan vitin e kaluar, në vende të tjera në të cilat ata kishin qenë më parë. Në një përgjigje të fundit ndaj një kërkese nga fraksioni i majtë, qeveria federale deklaroi se qytetarët sirianë mund të kthehen në vendin e tyre të origjinës vetëm vullnetarisht.
Rreth 400 deportime u organizuan vitin e kaluar për të nxjerrë jashtë vendit emigrantë të huaj nga Turqia apo Kosova. Vendet kryesore me më shumë emigrantë të dëbuar në vitin 2021 përfshinin gjithashtu Serbinë, Pakistanin, Moldavinë dhe Rumaninë.
Kur mori detyrën në vitin 2018, ministri Seehofer bëri të ditur se donte që rikthimet në vendin e origjinës të kryheshin në mënyrë të planifikuar.