Gjermania financon shkollimin e infermierëve jashtë vendit – rrezikohet boshatisja e Ballkanit

Prishtinë | 02 Dhj 2018 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Joana Bocaj është 25 vjeçe. Ajo ka tre vjet që punon si infermiere në qytetin e Vlorës. Nëse gjërat shkojnë sipas planeve të saj, Joana nuk do të punonte edhe shumë kohë në Vlorë, sepse ajo po përgatitet që ta lerë Shqipërinë dhe të fillojë një jetë të re në Dyseldorf. Për këtë qytet ajo ka dëgjuar nga një koleg i saj.

“Mendoj se në Gjermani do të kem një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të mirë. Kemi rroga të vogla, dhe askush nuk e vlerëson punën tonë. Prandaj dua të punoj e të jetoj atje”.

Në Dyseldorf infermierja shqiptare do të jetë e mirëpritur. Problemi i injoruar me vite i mungesës së personelit në përkujdesin shëndetësor ka arritur në nivelet më të larta të politikës gjermane. Në marrëveshjen e koalicionit qeverisës gjerman të partisë CDU/CSU dhe asaj socialdemokrate shënohet: në të gjithë Gjermaninë do të punësohen 8.000 infermierë. Ndërkohë kjo shifër është korrigjuar më lart, tani fjala është për punësimin e 13.000 infermierëve të rinj.

Rezervuar infermierësh në Ballkan

Megjithë këtë korrigjim, kjo shifër nuk do të mjaftojë, sepse gjendja është edhe më dramatike. Për shkak të mungesës së infermierëve, shumë të moshuar në qendrat e të moshuarve nuk marrin kujdesin e duhur. 36.000 vende pune në infermieri janë të pazëna, 15.000 prej tyre në qendrat e të moshuarve. Akoma më urgjente paraqitet gjendja në kujdesin shëndetësor në shtëpi. Sipas prognozave, deri në vitin 2060 numri i të moshuarve që do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor do të rritet nga 2,86 milionë aktualisht në 4,5 milionë në Gjermani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme