Edhe me ndonjë ndryshim eventual të qeverisjes në Gjermani në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator të këtij viti, ky shtet nuk do ta ndryshojë qasjen pozitive ndaj Kosovës dhe ndaj Ballkanit.
Ballkani shihet si stabilizues i Evropës, gjë për të cilën Gjermania është shumë e interesuar.
Kështu ka thënë në një intervistë dhënë “Zërit” ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu.
Zgjedhja e Frank-Walter Steinmeier si president i ri i Gjermanisë ka një domethënie të veçantë për Kosovën, pasi që nga viti 2004 ai ishte i angazhuar në procesin e shtetndërtimit të vendit.
Sa i përket bashkëpunimit aktual mes dy vendeve, ambasadori Xhakaliu ka thënë se Gjermania është përkrahësja më e madhe e Kosovës jo vetëm në aspektin ekonomik, mirëpo edhe atë politik. Referendumi britanik për daljen nga BE-ja, sipas Xhakaliut, megjithëse është i dhimbshëm nuk do të ketë efekt zinxhiror, pasi Gjermania nuk është e interesuar për këtë.
Ndërkohë duke folur për kontaktet me ambasadorët e pesë vendeve të BE-së të cilët nuk e kanë njohur Kosovën deri më tani, Xhakaliu ka treguar se ka kontakte të vazhdueshme me ta në këtë drejtim.