Ekspertë të integrimeve evropiane thonë se është e mundur që rruga drejt anëtarësimit në BE mund të zgjatet edhe më për Serbinë. Flitet se BE-ja nën udhëheqjen e Berlinit nuk do t’i lejojë Serbisë hapjen e asnjë kapitulli në negociatat për anëtarësim. Kështu pretendojnë jo zyrtarisht përfaqësues diplomatik në Beograd.
Gazeta serbe Danas shkruan se bashkëbiseduesit e tyre thonë se në rast se anëtarët e BE-së nuk i japin dritën e gjelbër për hapin e radhës drejt rrugës evropiane kjo së pari do të jetë ”shprehje e pakënaqësisë së Berlinit për shkak të ngecjes së demokracisë, respektivisht përparimit të pamjaftueshëm të Beogradit në përmbushjen e obligimeve që ndërlidhen me sundimin e ligjit”.
Siç pretendohet, Gjermania, që kryeson BE-në deri në janar, nuk është “e kënaqur” as për faktin se zyrtarët serbë “hapur shikojnë drejt Shteteve të Bashkuara” në kontekstin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Kujtojmë që as në qershor të këtij viti nuk është hapur as një kapitull në negociata me Serbinë, për dallim me vitet e kaluara që kjo ishte praktikë e Brukselit zyrtar.
Jovana Spremo, këshilltare për çështjet e procesit të integrimit në Komitetin e juristëve për të drejtat e njeriut- Jukom, dhe koordinatore të Grupit punues së Konventës kombëtare për BE thekson për Danas se “ndoshta do të ishte më mirë të thuhet se është realitet se nuk do të hapet e jo rrezik” që Serbia mos të hapë asnjë kapitull deri në fund të vitit.
“Gjermania, si një prej shteteve themeluese të BE-së, në plan të parë vendos vlerat në të cilat është formuar unioni, e këtë pikërisht janë respektimi i dinjiteti e të drejtave e lirisë së njeriut, zhvillimi i demokracisë, barazia dhe respektimi i sundimit të ligjit, pra të gjitha ato në të cilat Serbia po ngec apo po bën hapa prapa viteve të fundit. Korniza negociatave për Serbinë është ashtu i caktuar që ngecja në përmbushjen e obligimeve nga kapitujt 23 dhe 24 mund të sjell drejt ndalimit në negociata. Me këto deklarata jepet sinjal që sundimi i ligjit do të jetë aty ku do të përqendrohet Këshilli i BE-së nën kryesimin e Gjermanisë dhe se toleranca e deritanishme të ngecjes së Serbisë në këtë fushë, nuk do të vazhdohet” tha Spremo.