Një zëdhënës i qeverisë gjermane thotë se Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij për paqen në rajon. NATO ka vendosur të shtojë trupat në Kosovë.
Pas përshkallëzimit të fundit të dhunës në veri të Kosovës, qeveria gjermane i ka bërë thirrje presidentit serb Aleksandar Vuçiq të veprojë. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij për paqen në rajon dhe të bëjë gjithçka për të çshkallëzuar, tha të premten në Berlin një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane.
Por nëse qeveria serbe tani organizon një ditë zie për dorasit e vrarë, kjo nuk do të kontribuojë në çshkallëzim, tha ai. Serbia duhet “të bëjë thirrje pa mëdyshje për heqjen dorë nga dhuna”, kërkoi zëdhënësi.
Gjithashtu është e nevojshme të sqarohet origjina e armëve të shumta të gjetura. Është irrituese të shohësh se si presidenti serb “deklaron se fajtorët janë viktima”.
Në veri të Kosovës, sipas informacioneve të qeverisë, 30 persona të armatosur dhe të maskuar hapën zjarr ndaj policisë kosovare të dielën në një fshat jo shumë larg kufirit me Serbinë. Më pas ata pushtuan një manastir ortodoks serb. Një oficer policie dhe tre sulmues u vranë gjatë shkëmbimeve të zjarrit, sipas policisë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti foli për një sulm terrorist të kryer nga kriminelët e inkurajuar nga Serbia. Serbia dhe Vuçiçi i kanë hedhur poshtë akuzat. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin apo nuk ka shpjeguar motivet e autorëve të armatosur.
NATO shton praninë në Kosovë
Përballë tensioneve të fundit në Kosovë, NATO do të rrisë praninë e saj në vendin e Ballkanit Perëndimor. Aleanca transatlantike në Bruksel tha të premten se forca shtesë ishin autorizuar për t’iu përgjigjur situatës aktuale. Aleanca fillimisht nuk tha se sa ushtarë të tjerë do të vendoseshin ose cilat vende do t’i siguronin ata. Përshkallëzimi më i madh i dhunës në disa muaj ka ndodhur në veri të Kosovës fundjavën e kaluar.
Sipas të dhënave të agjencisë gjermane të shtypit, dpa, trupat shtesë të KFOR-it mund të jenë britanike. Ministria e Mbrojtjes në Londër njoftoi vetëm pak muaj më parë se Mbretëria e Bashkuar dëshron të japë “një kontribut vendimtar” për KFOR-in të paktën deri në vitin 2026.
Në operacionin e KFOR-it të Kombeve të Bashkuara janë përfshirë 28 shtete, tetë prej të cilave nuk janë anëtarë të NATO-s. Aktualisht rreth 3400 ushtarë të KFOR-it janë stacionuar në Kosovë, duke përfshirë rreth 80 nga Bundeswehr-i. Në veri të Kosovës jetojnë rreth 50.000 serbë.
Aleanca kishte vendosur tashmë në maj të rrisë praninë e saj në Kosovë me 700 ushtarë. Kjo u bë në përgjigje të sulmeve të turmave serbe kundër ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës. Në atë kohë u plagosën 30 ushtarë italianë e hungarezë dhe mbi 50 serbë. /DW