Komuna e Podujevës ka njoftuar se në kuadër të projektit të binjakëzimit me komunën e Velbertit në Gjermani, kanë pranuar ftesën për bashkëpunim në fushën e edukimit, ku ofrohen bursa studimi për gjimnazistët e Podujevës, për studime në Gjermani e Holandë.
“Të gjithë nxënësit e gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, njoftohen që në kuadër të projektit të binjakëzimit të komunës sonë me komunën e Velbertit në Gjermani, kemi pranuar ftesën për bashkëpunim në fushën e edukimit ku për nxënësit e shkollës “Aleksandër Xhuvani”, nga kjo gjeneratë e diplomuar dhe gjeneratat e kaluara do të ofrohen bursa për studime në fushën e edukimit për nivelin fillor”, thuhet në komunikatën për medie të kësaj komune.
Sipas komunikatës, “Projekti do të implementohet nga dy universitete partnere: Kolegji “Berufskolleg Bleibergquelle” në Velbert-Gjermani dhe Universitetin “Stenden” në Meppel- Holandë, që do të thotë se nxënësit përfitues të bursës do të kenë mundësi të studiojnë 2 vite në shtetin e Gjermanisë dhe 2 vite tjera në shtetin e Holandës”.
Bëhet e ditur se bursa që do të ofrohet ka vlerën rreth 830euro/muaj dhe do të vlejë gjatë gjithë eriudhës së studimeve.
Programi do të zhvillohet në gjuhën angleze dhe kriter i nevojshëm për pranim do të jetë njohuritë e mira të gjuhës angleze.
“Të gjithë të interesuarit duhet të dorëzojnë CV e tyre deri të premten me datën 16.07.2021 në email adresën: [email protected] apo në faqen zyrtare të shkollës”, thuhet në komunikatë.
Për të gjithë kandidatët që do të jenë në listën e ngushtë do të realizohet testi dhe intervista nga përfaqësuesit e kolegjit përmes platformave te komunikimit online.
Studimet do të fillojnë në vitin e ri akademik nga muaji tetor.
“Për realizimin e këtij projekti falënderojmë bashkatdhetarin tonë në Velbert, njëherit iniciues i projektit te binjakëzimit z. Rrahman Islami, i cili në vazhdimësi është duke bërë përpjekje që të përfitojmë sa më shumë nga ky projekt si komunë në të gjitha fushat”, thuhet në komunikatë.