Gjermania mbyll kufirin për rajonet e dy shteteve shkaku i varianteve të reja të virusit

Prishtinë | 12 Shk 2021 | 08:20 | Nga Ekonomia Online

Gjermania do ta ndalojë hyrjen e njerëzve nga disa rajone të Republikës Çeke dhe Tirolit të Austrisë për shkak të rritjes së numrit të rasteve të varianteve të reja të koronavirusit, tha të enjten ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer.

“Shtetet e Bavarisë dhe Saksonisë sot i kërkuan qeverisë që t’i klasifikojë Tirolin dhe rajonet kufitare të Republikës Çeke si zona me mutacione të virusit dhe që të zbatojë kontrolle kufitare”, tha ministri Seehofer për të përditshmen gjermane, “Sueddeutsche”.

“Për këtë është arritur pajtueshmëri me kancelaren dhe zëvendëskancelarin”, shtoi ky ministër, duke thënë se masat e reja do të fillojnë të zbatohen të dielën, shkruan The Guardian.

Në fund të janarit, Gjermania i ndaloi shumicën e udhëtarëve nga vendet e klasifikuara si zona të mutacionit ose vende të goditura më së shumti nga variantet e reja dhe më ngjitëse të virusit.

Nga rregullat e reja do të bëhet përjashtim vetëm për disa raste , përfshirë gjermanët që kthehen në atdhe dhe punëtorët e sektorëve të rëndësishëm, siç janë mjekët.

Gjermania ka shënuar rënie të numrit të rasteve të reja pas dy muajve të masave të rrepta të izolimit, përfshirë mbylljen e shkollave, restoranteve dhe shumicës së dyqaneve. Megjithatë, kohëve të fundit janë shtuar shqetësimet shkaku i numrit të lartë të rasteve në vendet e rajonit.

Të ngjashme