Qeveria gjermane ka lansuar plane për të krijuar “rezervë kombëtare shëndetësore” për pajisje dhe për të parandaluar përsëritjen e krizës së furnizimit gjatë menaxhimit të pandemisë së Coronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se “kabineti i koronës”, sikur njihet këshilli ndërministror që menaxhon pandeminë, e ka aprovuar të hënën planin qeveritar. Ai ka treguar se materialet mbrojtëse, maskat, ventilatorët dhe ilaçet të ruhen në stoqe në 19 depo në mbarë Gjermaninë. Spahni ka theksuar se me këtë plan do të sigurohen qytetarët gjermanë se nuk do të ngelin pa materiale e ilaçe në raste krizash. Synohet që projekti të finalizohet më 2022.
Gjermania ka qenë prej shteteve që është lavdëruar për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, por pas mbylljes së pranverës, megjithatë pati ngritje të numrit të rasteve gjatë muajve të verës. Vendi ka raportuar për ngritje rastesh edhe në muajt e vjeshtës, kur nisi vala e dytë e pandemisë së Coronavirusit.