Gjermania reagon ndaj grumbullimit të trupave ruse afër Ukrainës

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Gjermania e akuzoi Rusinë se po përpiqet të krijojë provokime me grumbullimin e trupave në Gadishullin e pushtuar të Krimesë dhe përgjatë kufirit me Ukrainën, përderisa e ka kundërshtuar pretendimin e Moskës se Rusia po kundërpërgjigjet ndaj kërcënimeve nga NATO-ja.

“Përshtypja ime është që pala ruse është duke provuar gjithçka për të nxitur një reagim. Së bashku me Ukrainën, ne nuk do të tërhiqemi në këtë lojë”, deklaroi ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Ajo shtoi se është e qartë se Rusia vetëm po pret për një lëvizje nga NATO-ja për të pasur një pretekst që t’i vazhdojë veprimet e saj, shkruan Free Europe.

Shefja gjermane e Mbrojtjes gjithashtu hodhi dyshime mbi pretendimin e Moskës se grumbullimi i trupave ruse është si reagim ndaj kërcënimeve të NATO-s. “Nëse është manovër, siç thotë pala ruse, ka procedura ndërkombëtare përmes të cilave dikush mund të krijojë transparencë dhe besim”, tha ajo.

Disa analistë kanë thënë se veprimet e fundit të Rusisë janë duke u bërë me qëllim të testimit të administratës së re të Shteteve të Bashkuara dhe përkushtimit të saj ndaj Ukrainës.

Rusia i ka refuzuar thirrjet e Perëndimit për t’i tërhequr trupat nga zona kufitare, duke mohuar se ato paraqesin kërcënim dhe duke shtuar se lëvizjet ushtarake brenda Rusisë janë çështje e brendshme.

Të ngjashme