Gjermania rrit ndihmën humanitare për territoret palestineze

Prishtinë | 12 Nën 2023 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë në bisedimet në disa vende të Lindjes së Mesme u angazhua për ndërprerje humanitare të luftimeve Izrael-Hamas për të mundësuar furnizimin e popullsisë që vuan pasojat në Rripin e Gazës.

Në sfondin e gjendjes së popullsisë civile në Rripin e Gazës Gjermania do të shtojë ndihmën humanitare për territoret palestineze edhe me 38 milionë euro. Këtë e komunikoi ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, pas një bisede me kryeministrin palestinez Mohammed Shtaje në Ramallah në Jordanin Perëndimor. Me këtë shtesë ndihma e përgjithshme e Gjermanisë lëvruar këtë vit për territoret palestineze arrin në mbi 160 milionë euro.

“Çdo jetë është e njësoj e çmuar. Gjithkush në Izrael apo në Palestinë ka të drejtë të jetojë në paqe e siguri”, theksoi Baerbock. Një hap i parë i rëndësishëm për njerëzit në Gazë janë pauzat humanitare. “Këto duhet të zgjerohen edhe më tej”, kërkoi Baerbock. Gjithashtu duhet t’u jepet siguri furnizimi spitaleve në veri të Rripit të Gazës.

Të shtunën në mbrëmje (11.11.2023) ministrja e Jashtme gjermane pati takime edhe me homologun e saj izraelit Eli Cohen dhe drejtuesin e opozitës Jair Lapid në Tel Aviv si edhe një bisedë me politikanin e opozitës Benny Gantz, i cili bën pjesë në kabinetin e krizës të drejtuar nga kryeministri Benjamin Netanjahu. Gjatë udhëtimit në Lindjen e Mesme në agjendën e bisedimeve të kryediplomates gjermane Baerbock janë gjendja e pengjeve në duart e Hamasit militant-islamik, situata humanitare e civilëve në Rripin e Gazës si dhe paqja e mundshme në të ardhmen përmes zgjidhjes me dy shtete. Baerbock po qendron për të tretën herë në rajonin e Lindjes së Mesme që pas sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Gjatë bisedimeve në Arabinë Saudite, Baerbock sërish u angazhua për një ndërprerje humanitare të luftimeve Izrael-Hamas për të mundësuar furnizimin e popullsisë që po vuan pasojat në Rripin e Gazës. Në bisedimet me përfaqësuesit e Katarit dhe të Arabisë Saudite ka pasur dakordësi, që “ndërprerja e luftimeve është e nevojshme për të mundësuar furnizimin me ndihma humanitare”, mësohet nga delegacioni që shoqëron ministren e Jashtme në vizitat në Lindjen e Mesme.

Po ashtu gjatë këtyre bisedimeve palët kanë qenë të një mendimi, se paqja për palestinezët dhe Izraelin është e mundur vetëm me një perspektivë për zgjidhjen me dy shtete, thuhet më tej lidhur me bisedimet në Katar dhe Arabinë Saudite.

Scholz: Izraeli duhet të mbetet një vend i sigurt për hebrenjtë nga e mbarë bota

Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi rëndësinë e Izraelit si një vend i sigurt për hebrenjtë. “Është e rëndësishme të dihet në të gjithë botën, se ekziston ky vend”, theksoi ai në kuadër të një kongresi dyditor të socialdemokratëve europian (SPE) në qytetin juor të SPanjës, Malaga. Ndaj, sipas tij, duhet të jetë i “qartë solidariteti ynë” me Izraelin.

“Sulmi i tmerrshëm, barbar i Hamasit ndaj qytetareve dhe qytetarëve të Izraelit, ndaj fëmijëve, të moshuarve, të rinjve, që merrnin pjesë në një festival, poshtërimet e filmuara atje, këto janë gjëra që ne nuk do t’i pranojmë kurrë”, tha Scholz. AI njëkohësisht nënvizoi, se duhet bërë gjithçka e mundshme, për të shmangur një përshkallëzim të konfliktit dhe për të mundësua ndihmat humanitare për njerëzit në Rripin e Gazës. Kancelari kërkoi gjithashtu një ndërprerje të luftimeve, në mënyrë që të plagosurit, shtetasit e vendeve të tjera dhe po ashtu mundësisht edhe pengjet që mbahen nga Hamasi radikal islamik të mund të largohen nga Rripi i Gazës. Kancelari theksoi edhe të drejtën e Izraelit për t’iu kundërvënë organizatës terroriste të Hamasit./DW

Të ngjashme