Gjermania synon të jetë pothuajse e lirë nga nafta ruse këtë vit

Prishtinë | 12 Mar 2022 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Gjermania ka thënë të shtunën, 12 mars, se synon të bëhet pothuajse e lirë nga importet e naftës ruse këtë vit, teksa Perëndimi synon të ndëshkojë Moskën për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

“Çdo ditë, çdo orë, ne jemi duke iu thënë lamtumirë importeve ruse”, ka thënë ministri për Ekonomi dhe Klimë, Robert Habeck sipas gazetës, Frankfurter Allgemeine Zeitung.

“Nëse e arrijmë këtë gjë, ne do të jemi të pavarur nga thëngjilli rus deri në vjeshtë dhe pothuajse të pavarur nga nafta ruse deri në fund të vitit”.

Statistikat qeveritare kanë treguar se Gjermania importon rreth një të tretën e naftës që i duhet dhe 45 për qind të thëngjillit nga Rusia.

Gazi është më problematik, pasi Gjermania importon më shumë se gjysmën e sasisë që i duhet nga Rusia.

Habeck u ka rezistuar kërkesave për ndalje të plotë të energjisë nga Rusia, duke paralajmëruar se kjo gjë mund të shkaktonte mungesa në dimër dhe inflacion.

Shtetet e Perëndimit kanë vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë prej shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë thënë më 8 mars se do të ndalin importin e naftës ruse.

Të ngjashme