Gjermanisë i kthehet Covidi, shënohet rekord i rasteve

Prishtinë | 04 Nën 2021 | 10:16 | Nga Ekonomia Online

Gjermania të enjten e regjistroi shifrën më të lartë ditore të personave me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë me 33.949 raste të reja, pikërisht në ditën kur pritet të takohen ministrat rajonalë të shëndetësisë.

Shifra ditore e infeksioneve besohet se është rritur nga një festë publike në disa pjesë të Gjermanisë të hënën, që e ka shtyrë grumbullimin e të dhënave. Rekordi i mëparshëm i rasteve në Gjermani ishte shënuar më 18 dhjetor të vitit të kaluar me 33.777 të infektuar.

Helge Braun, shef i stafit të kancelares në largim, Angela Merkel, tha se shtetet gjermane duhet të bëjnë progres më të shpejtë në vaksinimin e personave të moshuar me dozën përforcuese, shkruan Reuters.

Deri të mërkurën, vetëm 6.7 për qind e personave mbi moshën 60-vjeçare në Gjermani e kanë marrë dozën përforcuese, sipas të dhënave të Institutit “Robert Koch”, organ që merret me raportimin e rasteve me Covid-19 në Gjermani.

Personat e moshuar janë gjithashtu më të rrezikuar për të përfunduar në spital shkaku i infektimit me koronavirus. Shifra mesatare e personave të hospitalizuar për 100.000 banorë të mërkurën ishte 3.62, ndërsa në fillim të tetorit ky numër ishte vetëm 1.65.

Ndryshe, disa shtete evropiane kanë raportuar rritje të numrit të rasteve në javët e fundit, duke nxitur debat nëse duhet kthyer masat kufizuese dhe si të binden më shumë njerëz për t’u vaksinuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme