Gjibraltari është një gadishull i vogël në cepin jugor të Spanjës, i dominuar nga guri gëlqeror dhe ndryshe njihet edhe si “Shkëmbi”.
Por nuk është ishull.
Kështu që gjatë fundjavës që shkoi (6 korrik), kur Gjibraltari inauguroi Lojërat Ndërkombëtare të Ishujve, një garë që mbledh sportistë nga mbi 20 vende, përfshirë Bermudën dhe Grenlandën, zyrtarët lokalë nuk kishin një shpjegim të qartë se pse Gjibraltari po njihej si ishull vetëm për këtë qëllim, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”.
“Nuk ka një përgjigje definitive”, tha Owen Le Vallee, që është nga ishulli Guernsey dhe është anëtar themelues i Asociacionit Ndërkombëtar të Lojërave të Ishujve, që është krijuar në vitet ‘80.
Sporti është mënyra më e mirë për të marrë njohje, thotë një punëtor në një shitore lokale, dhe ndonëse territori nuk është një ishull, “shumica e të huajve mendojnë se Gjibraltari është i tillë”.
Andy Varnom, sekretar i përgjithshëm i Asociacionit Ndërkombëtar të Lojërave të Ishujve, ka shpjeguar se Gjibraltari është gati i rrethuar nga detet dhe iu lejua t’u bashkohej këtyre lojërave më tepër se tri dekada më parë, pasi anëtarësimi ishte i hapur për aplikuesit me më pak se 125 mijë banorë.
Gjibraltari ka rreth 6.7 kilometra katrorë dhe rreth 30 mijë banorë.
Ka luftuar të mbrojë identitetin e vet, i zënë në mes, pasi Spanja gjatë ka sfiduar sovranitetin britanik mbi këtë territor.
Steven Linares, ministër përgjegjës për sport, ka lidhur anëtarësimin e territorit me historinë e izolimit politik, veçanërisht gjatë diktaturës së gjatë spanjolle të gjeneralit Francisco Franco.
Kur Lojërat Ishullore u krijuan, ai thotë se Gjibraltari u ftua t’i bashkohej në vitin 1985 nga ishulli themelues, Ishulli i Njeriut, pasi ishte konsideruar se “Gjibraltari në parim ishte ishull për shkak të kufirit të mbyllur nga Spanja në vitin 1969”.
Ishulli është i rrethuar tërësisht nga uji, kurse gadishulli është i rrethuar në tri anët nga uji, kurse në një anë ka kufi tokësor me një vend tjetër.