Në 122 vjetorin e themelimit, klubi gjigant nga Zvicra, FC Thun, e ka kujtuar futbollistin shqiptar nga Vitia, Milaim Ramën, si golashënuesin më të mirë në histori të klubit.
Ish-sulmuesi i njohur Milaim Rama mbetet në histori të futbollit zviceran, pasi që është golashënuesi më i mirë në histori të Thun, me 105 golat e tij të shënuara.
Rama jo vetëm që ka qenë futbollisti i parë shqiptar që e ka përfaqësuar Kombëtaren e Zvicrës në arenën ndërkombëtare, ai mbahet mend edhe më tutje si legjende e Thunit, që për 122 vjetorin e themelimit e ka kujtuar atë për rekordin e tij për gola të shënuara.
Futbollisti nga Vitia i kaloi shtatë vjet të karrierës së tij duke luajtur për Thun, nga viti 1997 deri në vitin 2004, e më pas vazhdoi te Augsburg dhe Schaffhausen para se të kthehej te Thuni në vitin 2006.
Pas kthimit të tij te klubi i tij i vjetër, Rama vazhdoi ta dëshmonte talentin e tij para portës së kundërshtarëve deri në vitin 2012.
Ndërkohë, ai shkëlqeu edhe për Kombëtaren e Zvicrës me shtatë paraqitjet e tij, përderisa luajti edhe në Kampionatin Evropian në vitin 2004.
Pasi i dha fund karrierës së tij shumëvjeçare si futbollist profesionist, 44-vjeçari Rrama tani punon si agjent futbolli në Zvicër, duke mos u ndarë edhe më tutje nga bota e futbollit.