Gjilani dhe Anamorava – Treva që mbajtibarrën e historisë, ndërsa politika shpesh ela në pritje!

Prishtinë | 04 Dhj 2025 | 17:14 | Nga Halil Ajvazi

Në vitet e trazuara të ‘90-ës, kur tensionet etnike dhe gjeopolitike tronditnin strukturat e rajonit, qyteti
i Gjilanit me rrethinë vlerësohej të kishte rreth 20 mijë serbë, ndërsa Mitrovica me rrethinë rreth 10
mijë. Edhe pse këto shifra të kësaj pakice në mënyrë të vazhdueshme janë paraqitur të fryra, në raste
deri mbi 50 për qind përmes politikave të kolonizimit dhe jo si rezultat i zhvillimeve vendore
demografike, ky realitet i shtonte një dimension shtesë presionit të kohës dhe tensioneve mbi
strukturën shoqërore të trevës.

Këto të dhëna nuk janë vetëm numra, ato janë pasqyrim i realitetit politik që e rrethonte Kosovën para
luftës. Nën peshën e atyre rrethanave, pa vullnetin qytetar, pa organizimin shoqëror dhe pa
përkushtimin institucional, rreziku i një ndarjeje territoriale në baza etnike për Gjilanin ishte tejet i
prekshëm dhe jo thjesht një skenar teorik.

Në këtë kontekst, përgjegjësia historike e Gjilanit dhe Anamoravës shkon përtej kufijve lokalë.
Kjo trevë u bë mekanizëm stabiliteti në një kohë kur energjitë destabilizuese ishin të shumta.
Vendosmëria për të ruajtur kohezionin, për të mbajtur rendin shoqëror dhe për të qëndruar në anën e
drejtë të historisë, shpaloset si një kontribut që shpesh nuk është vlerësuar me peshën që meriton.
Pas vitit 2000, barrës së brendshme iu shtua edhe ndikimi dhe mbështetja e dy proceseve të tjera
historike: zhvillimet në Luginën e Preshevës (UÇMB) dhe ato në Dardano–Iliridës në Maqedoni
(UÇK). Këto lëvizje politike e ushtarake nuk u pasqyruan vetëm në tituj gazetash, por në jetët,
vendimet, mobilizimin dhe sakrificën e njerëzve të kësaj treve.

Pasojat e tyre u përjetuan në gjithçka: ekonomi, familje, siguri, migrim dhe në strukturën sociale të
përditshmërisë. Kjo e ktheu Anamoravën jo thjesht në vëzhguese të historisë, por në pjesëmarrëse
aktive, shpesh me kosto të lartë.

Historinë e Gjilanit dhe Anamoravës nuk e bën vetëm kronologjia; e bën roli i saj në ruajtjen e
orientimit kombëtar në një kohë kur dilemat ishin të mëdha dhe garancitë të pakta. Ky është
dimensioni që rrallë theksohet kur flasim për peshën strategjike të trevave të Kosovës.
Por krahas rolit historik, ka vend të drejtpërdrejtë edhe për reflektim. Kontributet e kësaj zone nuk janë
shndërruar gjithmonë në prioritet zhvillimor ose investim substancial. Infrastruktura, planifikimi
ekonomik, mbështetja institucionale dhe vëmendja strategjike shpesh nuk kanë qenë në raport me atë
çfarë është kërkuar dhe dhënë ndër vite.

Politika nuk është thirrur të shpërblejë, por të reflektojë – dhe reflektimi ka munguar. E shkuara nuk
duhet përdorur si dekor argumentesh, ajo është themel i të ardhmes. Anamorava ka treguar se di të
mbajë barrë historike, di të kontribuojë dhe di të sakrifikojë. Por historia, nëse merret seriozisht,
kërkon që përgjegjësia e kaluar të shndërrohet në vizion të së ardhmes.
Sepse aty ku një trevë ka qenë lokomotivë e proceseve kombëtare, zhvillimi duhet të jetë binar paralel,
jo stacion i harruar.

Në ditët kur politika shpesh matet me cikle zgjedhore, është mirë të kujtojmë se historia matet me
breza. Dhe brezat e Anamoravës e kanë të drejtën që historia e tyre të mos mbetet vetëm rrëfim, por të
bëhet pjesë e planifikimit dhe e vendimmarrjes për të ardhmen.

Të ngjashme