Gjilani e ka nisur me këmbë të mbarë edicionin 2026/27 të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke triumfuar në udhëtim ndaj Feronikelit 74’ me rezultat 3-1, në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të kampionatit.
Skuadra gjilanase e zhbllokoi rezultatin shumë herët. Granit Jashari realizoi në minutën e shtatë, duke i dhënë epërsinë skuadrës mysafire dhe duke vendosur ritmin e takimit që në fillim për 1-0.
Feronikeli 74’ pati një moment të artë për të barazuar në minutën e dytë, kur Indrit Prodani shënoi një gol spektakolar. Megjithatë, festa e vendasve nuk zgjati, pasi goli u anulua për shkak të prekjes me dorë nga sulmuesi Ivan Delic gjatë aksionit.
Gjilani e nisi pjesën e dytë në mënyrën më të mirë të mundshme. Hamdi Namani shënoi në minutën e 48-të për ta dyfishuar avantazhin në 2-0 dhe për t’ia vështirësuar edhe më shumë detyrën skuadrës nikoqire.
Mysafirët e vulosën fitoren në minutën e 84-të, kur Bleart Tolaj ishte i saktë nga pika e bardhë për 3-0.
Feronikeli 74 arriti të shënojë golin e nderit në minutën e 89-të, gjithashtu nga penalltia. Shpresim Zogu mori përsipër ekzekutimin dhe vendosi rezultatin përfundimtar, 3-1.
Me këtë fitore, Gjilani merr tri pikët e para në sezonin e ri, ndërsa Feronikeli 74’ rikthehet në Superligë me humbje, pas një viti të kaluar në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.