Për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Ndihmës së Parë, Kryqi i Kuq i Kosovës për herë të katër ka organizuar garat republikane në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Kryetarja e Kryqit të Kuq, Feride Hyseni, tha për Ekonomia Online se nxënësit të cilët garojnë vijnë nga 6 regjionet fituese të Kosovës.
“Këto janë gara republikane që organizohen për nderë të ditës ndërkombëtare të ndihmës së parë. 6 regjione janë përcaktua me nga një ekip. Vijnë prej Gjilanit, Prizrenit, Prishtinës, Mitrovicës dhe Ferizajt. Ndihmën e parë si Kryq i Kuq e zhvillojmë që nga viti 2002, kapacitetet tona i kemi ngritë me ndihmën e kryqit kuq amerikan dhe gjysmë hënës kuqe të Arabisë Saudite. Aktiviteti zhvillohet me vullnetarë me trajner e instruktor. 80 për qind janë të profilit shëndetësor, të trajnuar për ndihmën e parë. Trajnimet i mbajnë njerëzit me profesionist në këtë nivel siç janë Basri Lenjani, Isuf Bajrami që punojnë në emergjencat e Kosovës. Mbi 100 instruktorë ku mbajmë kurse të ndihmës së parë në 26 komunat,me popullatë kryesisht me fëmijë të shkollave të mesme”, tha ajo.
Hyseni theksoi se në kurset e Kryqit të Kuq, nxënësit fitojnë elementet bazike, ndihmë kjo e cila zvogëlon pasojat e aksidentit.
“Në këto kurse fitohet elementet bazike për ndihmë të parë. Ndihma e parë mundet me zvogëluar pasojën e aksidenteve njëkohësisht mundet me shpëtuar jetë nëse i afrohet në mënyrë të duhur. Bëjmë aftësimin e kandidatëve për patentë shofer dhe i certifikojmë përmes kurseve tona. Ky është një program që e aftëson njeriun dhe e ndërgjegjëson. Është viti i katër që bëjmë gara në nivel të Kosovës. Prej 2002 jemi me këto aktivitete dhe është program që do të vazhdoj në kryqin e kuq, e bëjnë të gjitha kryqet në botë”, tha Hyseni.
Në garën e 2019-tes, vendin e parë e morën nxënësit e Gjilanit, vendin e dytë Mitrovica dhe në vendin e tretë Prishtina.