Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka thënë se vetëm deputetët dhe partitë politike mund të flasin në emër të votuesve të tyre. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka komentuar seancën e Kuvendit ku deputetët po shqyrtojnë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Gjini duke aluduar në kryeministrin Kurti ka thënë se në etapa të ndryshme historike, të gjithë diktatorët e satrapët e edhe dishepujt e tyre kanë folur në emër të gjithë popullit.
“Besoj nuk ka nevojë të shpjegohet se çka i ka gjetur ata popuj. Deputetët dhe partitë politike mund të flasin në emër të votuesve të tyre. Pastaj fillojmë të kuptojmë pak më shumë demokraci. Fillojmë të shohim se diktatura fillon kur një pakicë elektorale fillon të flasë në emër të të gjithëve”, ka shkruar Gjini.