Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini i ka bërë ftesë publike kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një debat televiziv, duke thënë se qytetarët duhet të dëgjojnë drejtpërdrejt qëndrimet e tyre dhe jo interpretimet pas takimeve private, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Gjini deklaroi se është i gatshëm të përballet me Kurtin në çdo televizion dhe në çdo kohë që ai e zgjedh.
“Kisha dashur ta takoja Albin Kurtin në debat publik, me na parë i gjithë populli i Kosovës çka po flasim me njëri-tjetrin. Jo me u munduar me bërë poza e me bërë fotografi, e kur të kryhet takimi me dalë me fjalë të tjera se çka kemi folur. Jo kështu. Këtë herë le ta zgjedhë vetë studion, gazetarin, televizionin, kohën e ditën, çka të dojë. Unë jam përballë, pikërisht që ky popull me na dëgjuar çka po i themi njëri-tjetrit. Kur të dojë”, tha ai.
Ai përsëriti se Aleanca nuk mban përgjegjësi për bllokadën institucionale, duke theksuar se partitë që janë në negociata i kanë numrat për t’i formuar institucionet.
“Dy partitë që po negociojnë i kanë votat me zgjedhë edhe presidentin, edhe qeverinë, edhe me konstituu Kuvendin. Kjo është tepër evidente. Nëse kanë probleme të natyrave të tjera, atëherë nuk është fare përgjegjësi e Aleancës”, u shpreh ai.
Gjini tha se kërkesat e Aleancës për çështje që, sipas tij, prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve, kanë mbetur pa përgjigje, duke përmendur energjinë dhe projektet strategjike.
“Ndoshta është hera e 40-të që e përsëris se nuk kemi marrë asnjë përgjigje në kërkesat tona për qytetarët e Kosovës. A don me i kry këto rrugë? A don me pasë energji të prodhuar në Kosovë, apo me ble prej Serbisë ose prej mafias energjetike dhe çka do me bë populli i Kosovës në 20 apo 30 vitet që vijnë?”, deklaroi ai.
Kreu i Aleancës kritikoi edhe funksionimin e institucioneve, duke pretenduar se veprimet e Qeverisë në detyrë janë jashtë kornizës ligjore.
“Legalisht këta njerëz nuk duhet me guxuar me hy në zyrë. Nëse në Kosovë ka rend, ligj edhe kushtetutë, asnjëri prej tyre nuk është duke hyrë legalisht në zyrë. Të gjithë zyrtarët civilë që sot hartojnë ose nënshkruajnë dokumente me urdhëresë të cilitdo kryeministër ose zëvendëskryeministër që kanë qenë, kanë shkelur ligjin dhe për këtë një ditë kanë me u përgjigjur. Gjithçka që sot ndodh në Kosovë është e paligjshme”, tha Gjini.
