Gjini: A ju kemi thënë? Sot ishte edhe një maskaradë për ta blerë kohën

Prishtinë | 09 Sht 2026 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvend, duke e cilësuar situatën si një “maskaradë” dhe duke akuzuar Listën Serbe se, sipas tij, po ndihmon Albin Kurtin në zbatimin e agjendës së tij, raporton Ekonomia Online.

Gjini, në një konferencë për media, tha se Aleanca kishte paralajmëruar se institucionet nuk do të konstituoheshin dhe se zhvillimet e sotme, sipas tij, janë pjesë e një përpjekjeje për ta zvarritur krijimin e institucioneve të Kosovës.

“Edhe kisha nisur për të gjithë ju edhe për qytetarët e Kosovës me i thënë dy fjalë: A ju kemi thënë? A ju kemi thënë që nuk kanë me konstitu sot? Shihni çfarë… Kush e di për të satën herë, kush e di për të satën herë, me koordinim ose pa koordinim, Lista Serbe ka ndihmuar që Albin Kurti me e zbatuar agjendën e vet ashtu qysh i konvenon”, ka thwnw Gjini.

Sipas Gjinit, ajo që ka ndodhur sot është një përpjekje për të fituar kohë dhe për të vonuar krijimin e institucioneve të reja.

“Kjo që ka ndodhur sot është edhe një maskaradë. Edhe një maskaradë për me e shtyrë kohën, për me blerë kohë. Është qëllim i pastër për me blerë kohën, me e zvarritur krijimin e institucioneve të Kosovës.”

Ai tha se qytetarët tashmë e kanë të qartë arsyen pse Aleanca nuk ka pranuar të bëhet pjesë e këtij procesi, ndërsa u bëri thirrje edhe dy partive të tjera opozitare që të veprojnë njësoj.

“Unë po besoj që sot të gjithë qytetarët e Kosovës e kuptojnë drejt pse Aleanca nuk ka pranuar me u bërë pjesë e kësaj maskarade. Siç i kam ftuar më herët, i ftoj edhe njëherë dy partitë e tjera në opozitë me e refuzuar me u bërë pjesë e kësaj maskarade.”

Gjini më pas u ndal te ajo që e konsideron si arsyen e zvarritjes së krijimit të institucioneve. Ai tha se këtë skenar e kishte paralajmëruar që nga korriku dhe rikujtoi ofertën prej gjashtë pikash të bërë nga Aleanca për tejkalimin e krizës politike.

“Tash po dua me ju sqaruar se çfarë po ndodh. Shihni, prej korrikut ju kam treguar që ka me u zvarritur krijimi i institucioneve. Për shkak se ne i kemi dhënë 6 pika si ofertë për me dalë prej krizës, përderisa partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara ka refuzuar me u marrë me to. Vetë fakti që ka refuzuar me u marrë me ato pika tregon që qëllimi i tyre prej fillimit nuk ka qenë konstituimi i institucioneve të Kosovës“ thotë ai.

Kryetari i Aleancës shpjegoi edhe, sipas tij, se përse zvarritja e procesit është e rëndësishme në raport me afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe eventualisht shkuarjen në zgjedhje.

“Tash pse është kjo zvarritje? Po dua me e sqaruar qartë. Duhet me e mbërritur së paku datën 13 shtatori, në mënyrë që kur kalkulohen ato 60 ditë të afatit për zgjedhjen e presidentit edhe 45 ditë deri në shkuarjen në zgjedhje, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara me e mbërritur datën 27 dhjetor“, u shpreh ai.

Gjini ngriti edhe pyetjen se pse, sipas tij, synohet pikërisht data 27 dhjetor, duke argumentuar se pushteti aktual ka humbur mbështetjen e qytetarëve në Kosovë.

“Tash pyetja tjetër është: pse datën 27 dhjetor? Për shkak se këta njerëz që e kanë uzurpuar pushtetin në Kosovë e kanë humbur besimin e qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Për shkak se jeta e qytetarëve është rënduar. Sot me pagat e veta blejnë më pak ushqim. Mezi i paguajnë faturat e rrymës. Rrugët janë të shkatërruara. Shëndetësia është e shkatërruar, arsimi është i shkatërruar. Qytetarët e Kosovës që jetojnë në Kosovë e kanë parë me çfarë lloj regjimi kanë punë“, theksoi ai.

Gjini akuzoi pushtetin se po synon ta kompensojë, siç tha ai, humbjen e mbështetjes në Kosovë duke pritur ardhjen e diasporës për të votuar.

“Tani, për me e kompensuar humbjen reale që e kanë në Kosovë, duhet me e prit atë pjesë të diasporës që vjen me entuziazëm të paspjegueshëm me e votuar një shkatërrues të Kosovës“, shtoi ai.

Të ngjashme