Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për mungesë të vaksinave dhe për mosraportim të saktë të rasteve të vdekjes nga COVID-19.
Gjini ka thënë se punëtorët shëndetësorë kanë shprehur gatishmëri për të punuar edhe të dielave, por nuk janë lejuar nga ministria.
Madje, sipas tij, për mungesën e vaksinave dhe manipulimin me numrin e rasteve të vdekjeve kanë qenë në dijeni edhe kryetarët e komunave, por ata janë përmbajtur nga komentet, me qëllim që të mos e politizojnë tragjedinë.
“Nga 1700 doza të vaksinimit në ditë deri para një jave, qendra e vaksinimit në Gjakovë tani i jep më pak se 500. Punëtorët shëndetësorë ishin të gatshëm të punojnë edhe të dielave por nuk u lejuan, me pretekstin se nuk lëshohet SISH. Po vërtetohet, ashtu siç kryetarët e komunave e dinin por nuk flisnin sepse nuk donim ta rëndonim gjendjen, se vaksina ka pak.”
“Po ashtu e dinim se rastet e vdekjeve nuk raportoheshin saktë. Numri i vërtetë nuk është raportuar, duke i shtyrë raportimet për disa ditë, ndërsa tani kur rastet janë grumbulluar, dalin shifrat në shesh. Shumica prej nesh jemi kursyer nga komentet, vetëm për të mos e politizuar tragjedinë që na ka kapluar, por qeveria po bën politikë. Shumë keq!”
Mirëpo, sipas tij, hipokrizia shpërtheu në konferencën e sotme të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, të cilët sipas tij, fajësuan qytetarët.
“E sonte hipokrizia shpërtheu!! Kërkojnë nga qytetarët që të vaksinohen, thuajse qytetarët po refuzojnë të vaksinohen!? Qytetarët nuk po mund të sigurojnë termine për vaksinim, kjo është e vërteta. T’i fajësosh qytetarët kështu?? Kulmi i hipokrizisë”, përfundoi ai.