Kompania “GjirafaInc” për procesin e digjitalizimin e bizneseve të Kosovës sot ka lansuar aplikacionin “GjirafaPikBiz” për regjistrim të bizneseve kosovare në lokacione të sakta në hartë me pamje 360 shkallë.
Bizneset e vogla dhe të mëdha përmes këtij aplikacioni mund të ekspozohen në treg masiv, duke plotësuar nevojat e veta, ndërsa përdoruesit do të kenë më shumë mundësi për të gjetur informata për bizneset dhe shërbimet e tyre.
Mërgim Cahani nga GjirafaInc,tha se “jemi me fat që po e zhvillojmë digjitalizimin në Kosovë për të gjitha llojet e bizneseve, si ato të vogla ashtu edhe ato të mëdha”.
“Është bërë fakt që ekonomia digjitale, apo ekonomia e internetit është bërë faktor kryesor për zhvillimin ekonomik të vendit. Deri para një kohe kjo ka mundur të jetë vetëm një mendim, ndërsa tashmë realiteti ka ndryshuar”, ka thënë ai.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerant Stavileci, lansimin e këtij aplikacioni e vlerësoi lartë duke theksuar që ky produkt i plotëson kërkesat e konsumatorëve, raporton Ekonomia Online.
“Mendoj që gjëja më e mirë që e bëjmë në këtë drejtim, e sidomos sektori privat që nuk ka të ndalur duke prezantuar mundësi të reja të zhvillimit të cilat e zhvillojnë biznesin dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik”.
“Dicka si kjo ka munguar në vendin tonë dhe është një risi absolute në shërbim të bizneseve dhe në shërbim të klientëve, të përdoruesve, të cilët duke shkuar prej një qyteti në tjetrin ta gjejnë më lehtë atë shërbim, kush e ofron atë shërbim dhe cila është rruga më e shpejtë për ta realizuar”, theksoi ministri Stavileci.
Ai ka folur edhe për përkrahjen që po i japin sektorit të teknologjisë informative në vend.
Kryesues i Departamentit të Biznesit në “GjirafaInc” Debatik Hoxha, tha se kompania ka për qëllim të zhvillojë të gjitha bizneset që operojnë në Kosovë, duke i ekspozuar ato në treg masiv, ndërsa përmes këtij aplikacioni konsumatorët mund të gjejnë të dhëna më lehtë për bizneset dhe shërbimet e tyre.
Produkti i cili u lansua “GjirafaPikBiz”, i merr të gjitha të dhënat, shërbimet dhe vendet e bizneseve duke i treguar ato në hartë me pamje 360 shkallë.
50% e Kosovës është e mbuluar me këto pamje. Deri tash në kompaninë “Gjirafa” janë regjistruar 30 000 biznese.