Pak më parë në një konferencë për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija e konfirmoi se po dyshohet se një pacient në QKUK është infektuar me ‘Koronavirus’.
Deri më tani ky virus ka qenë më shumë i përhapur në Kinë, transmeton Indeksonline.
Çka duhet të dimë rreth ‘Koronavirusit’?
Korona virusi qarkullon në kafshë, dhe disa prej korona viruseve kanë aftësinë të transmetohen nga kafshët tek njeriu. Tashmë është vërtetuar që koronavirusi transmetohet edhe nga njeriu tek njeriu.
Cilat janë simptomat e virusit kinez?
Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindrom të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.
Deri më tani nuk ka dalë ndonjë vaksinë për këtë lloj të virusit pasi që është sëmundje e re.
Aktualisht nuk ka një trajtim specifik për sëmundjet e shkaktuara nga koronavirusi. Megjithatë, shumë nga simptomat mund të trajtohen në varësi të gjendjes klinike të pacientit.
Rekomandime të Organizatës Botërore të Shëndetësisë:
Për të mbrojtur nga ky virus rekomandohet që:
-Masa bazike të higjenës së duarve, siç është larja e duarve me ujë dhe sapun
-Higjiena respiratore, si psh. kur teshtini, përdorni bërrylin apo shami
-Shmangia e kontakteve të ngushta me çdo person që shfaq simptoma të sëmundjeve respiratore, si kollë apo teshtitje.
-Mënjanimet e kontakteve të panevojshme me kafshë të gjalla apo produket e tyre dhe larja e duarve pas prekjes së tyre
Aplikimi i praktikave të higjienës ushqimore. Sigurohuni që mishi është gatuar mire para se të konsumohet.