GjND-ja nis hetimet për krime lufte në territoret palestineze, ShBA-ja kundër

Prishtinë | 04 Mar 2021 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Fatou Bensouda, i ka filluar zyrtarisht hetimet rreth dyshimeve për krime lufte në territoret palestineze.

Sipas kryeprokurores, në këto hetime do të mbulohen ngjarjet në Bregun e pushtuar Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës që nga qershori i vitit 2014, shkruan BBC.

Muajin e kaluar, gjykata me seli në Hagë mori vendim që mund ta ushtrojë juridiksionin e saj për ngjarjet në territoret palestineze.

Izraeli e ka kundërshtuar fillimin e këtyre hetimeve, ndërsa zyrtarët palestinez e mirëpritën atë. Shtetet e Bashkuara, siç pritej, i dolën në krah Izraelit dhe u shprehën të zhgënjyera me nisjen e hetimeve.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka juridiksion që t’i ndjekë penalisht personat e akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në territorin e shteteve nënshkruese të Statutit të Romës.

Izraeli nuk e ka ratifikuar këtë statut, por gjykata vlerësoi se ka juridiksion për të zhvilluar hetime rreth territoreve palestineze, sepse sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara i ka pranuar palestinezët në këtë traktat në vitin 2015.

Izraeli i okupoi Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor në Luftën e Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët synojnë që këto territore t’i bëjnë pjesë e shtetit të tyre që aspirojnë ta formojnë në të ardhmen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme