Gjoba “të majme” për deputetët që munguan në Kuvendin e Shqipërisë gjatë korrikut

Prishtinë | 12 Gus 2024 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk kanë qenë të pranishëm në të gjitha seancat plenare përgjatë muajit korrik. Për këtë arsye, disa prej tyre janë ndëshkuar edhe me gjoba.

Ligjvënësit janë penalizuar me heqje të pagës nga 10 deri në 60 mijë lekë për shkak se nuk kanë marrë pjesë në seancat plenare apo në komisione. Gjatë muajit korrik, mazhoranca ka numrin më të lartë të deputetëve të penalizuar, ku 15 prej tyre kanë munguar.

Por, ajo që vihet re në pasqyrën financiare për pagat e muajit korrik, është se deputetja me gjobën më të madhe rezulton Oriela Nebijaj, nga radhët e opozitës. Nebiaj është “gjobitur” me 614 mijë lekë.

Pas nuk mbetet as deputetja Andia Ulliri me një gjobë prej 51 mijë lekësh, ndërsa Enekelejd Alibeaj vjen pas tyre me penalitetin prej 40 mijë lekësh.

Nga radhët e mazhorancës është gjobitur Blendi Klosi, me 10 mijë lekë, Eduard Shalsi, me 10 mijë lekë dhe Pandeli Majko, me 10 mijë lekë. Ndërsa gjobën më të lartë në radhët e së majtëve e kanë marrë Plarent Ndreca dhe Paulin Sterkaj me 30 mijë lekë gjobë.

Janë gjithsej 38 deputetë të cilët kanë marrë gjoba. Aktualisht deputetët e parlamentit paguhen 310 mijë lekë në muaj, pagë e cila u dyfishua në mars të vitit që lamë pas me vetë votat e tyre. Deri para një viti paga e deputetit rezultonte 156 770, ndërkohë që u rrit në 310 mijë lekë.

Ndërkohë, paga e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit shkoi rreth 395 mijë lekë kurse e ministrave në rreth 318 mijë lekë bruto.

Pasqyra financiare tregoi se listëpagesa kapi vlerën e 57.6 mln lekëve, të hedhura në llogaritë bankare të anëtarëve në parlament. Nga borderorja e muajit të fundit të ekzekutuar tashmë, del se të ardhurat mesatare të deputetit në parlament arrijnë në 440 mijë lekë, ose 4.4 mln lekë të vjetra. Paga më e lartë në piramidën e shtetit shqiptar aktualisht është ajo e Presidentit të Republikës, e cila shkon në 425 mijë lekë./vizionplus.tv

Të ngjashme