Ylli serb i tenisit, Novak Gjokoviq, e ka quajtur ‘të çmendur’ vendimin për të ndaluar lojtarët rusë dhe bjellorusë që të garojnë në Wimbledon.
Wimbledon, i cili ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar, u bë turneu i parë i tenisit që ndaloi atletët individualë nga të dy vendet të konkurronin, mes agresionit rus ndaj Ukrainës.
Ndalimi do të thotë se numri dy i botës, Daniil Medvedev nga Rusia, dhe e renditura e katërt për femra, Aryna Sabalenka nga Bjellorusia, nuk do të marrin pjesë në garën e 27 qershorit dhe 10 korrikut.
Duke folur për gazetarët në Serbi, Gjokoviq tha se nuk mund ta mbështesë vendimin e Wimbledon.
“Mendoj se është çmenduri. Kur politika ndërhyn me sportin, rezultati nuk është i mirë”, tha Gjokoviq.
Megjithatë, ai tha se do ta dënojë gjithmonë luftën, raporton AlJazzera, transmeton Klankosova.tv.
“Unë kurrë nuk do ta mbështes luftën, duke qenë vetë një fëmijë i luftës, e di se sa trauma emocionale lë. Në Serbi të gjithë e dimë se çfarë ndodhi në vitin 1999 – njerëzit e zakonshëm vuajnë gjithmonë. Në Ballkan kemi pasur shumë luftëra në historinë e re”, u shpreh tutje tenisti.