Ish-kryetari i bordit të drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, ka raportuar në Komisionin Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala, raporton Ekonomia Online.
Gjonbalaj tha se në kohën kur ka qenë Adnan Merovci, Kryeshef i Telekomit, është nënshkruar një kontratë me një partner amerikan, e që bordi ka qenë i detyruar ta nënshkruaj atë kontratë pasi që licenca është dhënë prej Autoritetit Rregullativ.
“Unë për shumë vjet nuk kam pasë të drejtë të jap mendimin për çështjen e Telekomit nga një person që është brenda aty. Kam qenë kryesues i bordit në 2 mandate 3 vjeçare, por në total kam qenë 8 vjet kryesues i bordit. Adnan Merovci ka nënshkruar një para kontratë me një partner amerikan pa dijeninë paraprake të bordit. I tërë bordi ka nënshkruar pro aprovimit të kësaj kontrate pasi që sipas bazave ligjore kemi qenë të detyruar ta nënshkruajmë këtë kontratë madje ne as nuk e kemi ditur që është me ndarje financiare komerciale”, ka thënë Gjonabalaj.
Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, ka pyetur se si e kanë vlerësuar se kjo kontratë ka qenë me interes.
“Interpretimi i ekspertëve ka qenë që në Telekom ka kapacitete të lira dhe se duhet të shfrytëzohen ato kapacitete ndërsa se Telekomi do ketë 0 për qind investime në këtë projekt. Kemi kërkuar që penalltitë që kanë qenë në drejtim të Telekomit të zvogëlohen. Qeveria dhe Telekomi kanë qenë si mbështetës që të futen operatorët virtual në Telekom. Kapacitetet e Telekomit ose nuk ka mundur t’i shfrytëzojë vetë dhe pse është arrit marrëveshja që një klient i Telekomit të jetë konkurrent ndaj Telekomit”, pyeti Visar Ymeri.
Gjonbalaj tha se në asnjë mbledhje të bordit nuk kanë ardhur kërkesa që të ndërpritet kontrata me Z-Mobile.
“Kam dëgju që kanë thënë që bordi e ka nënshkruar kontratën dhe e ka negociuar. Bordi as nuk ka mujtë me negociu e as me nënshkru kontratë pasi që nuk ka pasë të drejtë ligjore. Me vetë faktin që licenca duhet t’i ipet një operatori të lidhë kontratë me Telekomin atëherë ne kemi qenë të detyruar t’i përgjigjeshim ARKEP-it. Sabaudin Ramaxhiku na ka thënë që jemi të detyruar t’i përgjigjeshim Autoritetit Rregullativ. Në asnjë kërkesë në mbledhje të bordit nuk është thënë që kontrata me Z-Mobile duhet me u ndërpre për disa arsye. Ka një kërkesë të vetme për ndërprerje të kontratës që bordit e ka marrë dhe ajo kontratë nuk ka qenë aktive më shumë se 10 muaj. Po ka pasë diskutime dhe shqetësime për ato kontrata. Ligjërisht kontratën duhet ta ndërpresë ai që e nënshkruan, bordi vetëm mund mbështesë. Të gjithë kryeshefët e Telekomit kanë bazë ligjore me e ndërpre kontratën”, tha ai.
Përkundër 2 raportimeve të kryeshefave të Telekomit të cilët kishin thënë që bordi merr vendim për nënshkrim të kontratës dhe shkëputje të saj, Gjonbalaj tha se kjo nuk është çështje e bordit. Sipas tij kryeshefat kanë bazë ligjore të marrin vendime të tilla.
“Bordi i drejtorëve kurrë nuk është marrë me atë çështje. Nuk ka pasë asnjë ndikim nga ana ime me u nënshkru ajo kontratë”, tha Gjonbalaj, raporton EO.
Gjonbalaj tha se edhe pse rregullorja për donacione dhe sponsorizime është bërë nga vetë bordi i Telekomit, vendimet për donacione dhe sponsorizime i kanë marrë kryeshefat e Telekomit.
“Unë dëgjoj deklarata që Telekomi po falimenton unë nuk e di si mundet Telekomi me falimentu. Nuk e kam ditë se prej kujt furnizohet Telekomi me antena. Ka pasë rregullore për sponsorizime dhe rregullorja është bërë prej vetë bordit. Të gjitha kërkesat për sponsorizime dhe donacione kanë ardhë prej kryeshefit ekzekutiv”, tha ai, raporton EO.
Por, me këtë nuk u pajtua deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Ai tha se mendon se pjesë e degradimit të Telekmoit është vet bordi.
“Unë konsideroj që pjesë e degradimit të Telekomit jeni ju të bordit”, tha Zemaj.
Gjonbalaj iu kundërpërgjigj.
“Një vendim i bordit pa fjalën e fundit të kryeshefit ekzekutiv ka vlerën zero”, tha Gjonbalaj.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, pyeti Gjonbalajn se nëse e ka punësuar vajzën e tij në Telekom sa ka qenë kryetar i bordit të drejtorëve në Telekom, raporton EO.
Gjonbalaj tha se vajza e tij është punësuar aty kur është ndarë Posta dhe Telekomit.
“Vajza ime është punësuar në postë me një konkurs publik pasi që është nda Posta dhe Telekomi. Unë e kam pasë të ndaluar edhe me pretendu me e punësu dikë aty”, tha ai.
Pyetje pati edhe deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu.
“A e dini ju që kontrata me Zmobile, është kontrata më e dëmshme që e ka pasë Telekomi?”, pyeti deputetja Albulena Haxhiu.
“Jo kurrë se pranoj, ku e din ti, ku je bazu që është e dëmshme”, tha Gjonbalaj.
Deputeti Milaim Zeka e pyeti Gjonbalajn për shkeljet e mundshme që mund t’i ketë bërë në zgjatjen e mandatit sa ishte kryetar i bordit të drejtorëve.
“Ka deputet edhe ish deputet të partive politike që kanë nënshkruar kontratë me Telekomin në vlerë prej 3.5 milionë. A ta ka leju ligji me qenë 3 plus 3 plus 2 drejtor i bordit, a ke bo shkelje të ligjit. Thatë që ju nuk mund t’i dini krejt kontratat e nënshkruara me Telekomin, a është e saktë”, pyeti deputeti Milaim Zeka.
“Jo as njëra nga këto nuk janë të sakta”, tha Gjonbalaj.