Anëtari i Kryesisë së PDK-së Betim Gjoshi përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se kryeministrit në detyrë Albin Kurti nuk shqetësohet për shëndetin e askujt, por vetëm për pozitën e tij.
Postimi i plotë:
ALBIN K. NUK SHQETËSOHET PËR SHËNDETIN E ASKUJT NË KOSOVË, POR VEÇ PËR POZITËN E TIJ
Albin K. nuk është i shqetësuar për shëndetin e popullatës. Po të ishte i interesuar dhe nëse sadopak do të ndjente përgjegjësi për detyrën që ka, ai asnjëherë nuk do të provokonte një krizë politike në mes të një krize shëndetësore.
Ai po vazhdon betejën e pakuptimtë për pushtet, duke e shtyrë vendin drejt një rreziku të infektimit të të gjithëve.
Pse po e them këtë? Pasi që Presidenti i vendit i ka kërkuar atij emrin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë, Albin K. paska shkruar se Presidenti duhet t’i referohet vetëm nenit 82.2 të Kushtetutës së Kosovës. Ky nen thotë “Kuvendi MUND të shpërbehet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, PAS VOTIMIT TË SUKSESSHËM TË MOSBESIMIT të Qeverisë”.
Albin K. nuk e ka problem që lexon vetëm nenet që dëshiron, edhe pse Profesor Hasani i ka thënë që të mos i referohet këtij neni sepse nuk e favorizon.
Por, çka do të ndodhte nëse SHPËRNDAHET KUVENDI sot?
Të gjithë e dijmë se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme më së largu brenda 45 ditëve.
Kjo është papërgjegjësi e Albin K. për ta çuar vendin në zgjedhje në kushte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme për shëndetin e popullit të Kosovës.
Përveç që duket lojë e rrezikshme e tij, kjo është në kundërshtim edhe me vet fjalët e tij. Të gjithë i mbajmë mend piskamat e zyrtarëve të Vetëvendosjes se nuk mund të mbahej seanca e Kuvendit të Kosovës për shkak të rrezikut nga përhapja e virusit. Pra, është rrezik mbajtja e një seance të Kuvendit ku maksimumi i personave është 200, por nuk është e rrezikshme mbajtja e zgjedhjeve në të gjithë territorin e Republikës e cila ka rreth 2 600 vendvotime dhe rreth 2 milion votues.
Albin K. nuk duhet të dëgjojë këshillat e institucioneve profesionale vetëm kur ato i konvenojnë. Ai duhet të sillet në përputhje me përgjegjësinë ligjore që ka. Zgjedhjet në Podujevë u shtynë vetëm për një fakt që shëndeti i popullatës të mos rrezikohet. Nëse zgjedhjet nuk mund të mbahen në Një Komunë të Kosovës, si është e mundur që ato të mbahen në 37 Komuna të tjera të Kosovës?
Përgjigjet në këto pyetje janë të thjeshta. Albin K. nuk është duke u shqetësuar për shëndetin e askujt në Kosovë. Ai ka vetëm një shqetësim se si të mundohet t’i ikë përgjegjësive ligjore që ka edhe tani si Kryeministër i shkarkuar.