Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke paralajmëruar se zgjedhja e Presidentit jashtë rregullimit kushtetues përbën, sipas tij, “akt kundër shtetit të Kosovës dhe shkatërrim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”.
Në një deklaratë publike, ai ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe deputetët e tij për, siç e ka quajtur, “sulm ndaj Republikës së Kosovës dhe rendit të saj kushtetues”, duke shtuar se veprimet e ndërmarra “nëpër terr” rrezikojnë themelet e shtetit.
Gjoshi ka bërë thirrje për reagim të menjëhershëm qytetar dhe institucional, duke theksuar se situata është serioze dhe kërkon mobilizim në mbrojtje të shtetit.
“Sonte duhet të na zgjojë të gjithëve në mbrojtje të shtetit. Nesër do të bëhet vonë”, thuhet në reagimin e tij.
Ai gjithashtu paralajmëroi për, sipas tij, rrezikun e vendosjes së një “diktature të partisë-shtet” dhe rrënimit të themeleve të shtetit të Kosovës.