Mëngjesi i ditës së sotme në Prishtinë ku shumë persona kishin shkuar për argëtim ka përfunduar me rrahje dhe me gjuajtje me armë zjarri. Disa persona në lokalin e natës në “Duplex” në Prishtinë janë rrahur fillimisht mes veti e më pas është përdorur edhe arma e zjarrit.
Policia e Kosovës ka thënë për Insajderin se inicialet e personave të përfshirë në këtë ngjarje janë V.C. dhe M.P. Insajderi ka marrë vesh se personi me inicialet M.P është Mentor Palokaj, vëllai i reperit shqiptar Vikor Palokajt – i njohur me emrin e artit si Unikkatil.
Njëjtë sikurse Unikkatil, edhe Mentor Palokaj është rep artist. Ai njihet me nofkën Tee dhe është pjesë e labelit TBA.
Ngjarja sipas Policisë së Kosovës kishte ndodhur në orën 03:00 të së shtunës. Policia me të dalë në vendin e ngjarjes ka thënë se fillimisht disa persona janë përfshirë në rrahje, ndërsa njëri prej tyre ka gjuajtur edhe me armë zjarri.
“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është ngritur dyshimi i arsyeshëm se pas një përleshje në mes të disa personave një i dyshuar tani më njohur për policinë, ka shtëne me arme zjarri dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka deklaruar për Insajderin Agron Borovci zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
Borovci ka deklaruar se askush nuk është lënduar në këtë rast dhe se arma që është përdorur në këtë rast është sekuestruar. Ai ka bërë të ditur se i dyshuari kryesor është i njohur për policinë, por që aktualisht gjendet në arrati. Në lidhje me rastin është arrestuar një person por që më pas është liruar në procedurë të rregullt.
“Janë intervistuar dëshmitarët si dhe persona të tjerë që ndërlidhen me ngjarjen dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit është hapur rasti për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Një person është arrestuar dhe është liruar në procedure të rregull ndërsa i dyshuari kryesor ka ikur nga vendi i ngjarjes”, ka deklaruar Borovci.