Gjuha e sulmet e rrezikshme, AGK fton Kurtin dhe Osmanin ta konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni në KQZ

Prishtinë | 04 Dhj 2025 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) teksa kanë dënuar gjuhën e papërgjegjshme të Sami Kurteshit, anëtar i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i kanë bërë thirrje liderit të kësaj partie Albin Kurtit dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që ta konsiderojnë largimin e tij nga pozicioni i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Deklaratat e Sami Kurteshit-  të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon fuqishëm gjuhën e papërgjegjshme, sulmuese dhe shumë të rrezikshme të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi, nga partia politike Vetëvendosje. Kurteshi, në një reagim publik, e quajti AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale” dhe listoi një sërë mediash, që sipas tij operojnë si “vrasës me pagesë”. Këto akuza, përveç që janë të pabaza, paraqesin rrezik real për sulme të mundshme në të ardhmen ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të mediave në punën e tyre profesionale në terren. Deklaratat nxitëse të urrejtjes të z. Kurteshi janë vazhdimësi e një fushate linçuese ndaj gazetarëve, me qëllim frikësimin e tyre dhe minimin e lirisë së medias në vend. AGK-ja e fton Vetëvendosjen, liderin e saj Albin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, që të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Të ngjashme