Bashkimi Evropian duhet ta integrojë Ballkanin Perëndimor me hapa të shpejtë, si mënyrë për ruajtjen e së ardhmes së vet dhe mbrojtjen e rajonit nga ndikimi rus dhe kinez, ka thënë të mërkurën presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Gjukanoviqi është politikani me më së shumti vjet në pushtet në shtetin e tij. Ai e ka anëtarësuar Malin e Zi në NATO më 2017 dhe tani është duke e drejtuar përpjekjen e anëtarësimit të këtij shteti në BE, përballë kundërshtimit të ashpër rus.
Moska, përmes politikës dhe Pekini, përmes huave, synojnë ta “parandalojnë zgjerimin e NATO-s dhe BE-së në Ballkan”, i ka thënë Gjukanoviqi Reutersit përmes një interviste.
Kjo nënkupton se rajoni duhet të jetë “zonë e përgjegjësisë së Bashkimit Evropian dhe interes i saji strategjik”.
“Përderisa BE-ja nuk e kupton atë, druaj se vetë e ardhmja e bllokut mund të jetë në rrezik”, ka thënë ai, duke folur një ditë para se të shpallet verdikti në gjykimin e të akuzuarve për pjesëmarrje në tentim-puçin e 2016-tës kundër tij.
Derisa BE-ja është duke shkurtuar fondet për shtetet e Ballkanit, krahas Bankës Botërore dhe huadhënësve tjerë perëndimorë, Kina është duke e mbushur hendekun.