Ambasadori serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, është shprehur se shteti i tij është plotësisht i vetëdijshëm për realitetin që përballen me Kosovën.
Ai ka shtuar se është e nevojshme që të “gjendet një zgjidhje e drejtë” me të cilën të dyja palët do të ndaheshin të kënaqura në mënyrë të barabartë.
“Kosova për neve serbët është djepi i identitetit kombëtar. Mbretërit dhe shenjtorët tanë prehen në Kosovë, por po ashtu ka një komunitet të vogël që arrin të mbijetojë si minoritet”, është shprehur Gjuriq për Washington Diplomat.
“Ne serbët besojmë se Kosova është pjesë e territorit tonë”.
“Ne duam që të përmbyllet çështja në mënyrë që asnjëra nga palët të mos ndjehet e lënduar – që të dy palët të jenë të kënaqura pjesërisht. Nuk është e lehtë. Ne duhet të nisim bisedimet, sepse është më mirë për të folur mijëra ditë sesa që të përfundojmë një ditë në konflikt”, tha ai.
Gjuriq ka thënë se Serbia pret që të ketë punë të vështirë me Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti.
“Pres që do të kemi punë të vështirë me qeverinë e re, për shkak të Kryeministrit Albin Kurti i cili që në fillim të mandatit të tij ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është prioritet”, ka deklaruar ai.