Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq ka thënë mbrëmë se reciprociteti është një emër tjetër për “rrugën në të kaluarën dhe konfliktet dhe është një vazhdimësi e politikave të taksës dhe bllokadës”.
Sipas tij, kjo nënkupton mbylljen e derës për të ardhmen për gjeneratat e reja të të gjitha kombësive në Kosovë.
“Nisma e presidentit Vuçiq për bashkëpunimin në rajon shkakton vetëm panik për ata që nuk duan paqe, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, por duan të shënojnë përjetësisht pikë politike mbi urrejtjen, konfliktin dhe politikat e ndarjes”, shtoi ai.
Kjo deklaratë e tij erdhi pas asaj të kandidatit për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti i cili e ka cilësuar Samitin e Ohrit si të ngutshëm, ndërsa ka shtuar se marrëdhënia me Kosovën do të jetë bazuar në reciprocitet.