Nuk ka kurrfarë bllokade për kalimin e kamionëve nga Kosova në Serbi në dogana. Ka pasur vetëm një masë që lidhej me ndalimin e lëvizjes gjatë orës policore për shkak të koronavirusit, nga e cila para dy ditësh kemi përjashtuar kamionët me artikuj themelorë edhe për shqiptarët nga Kosova.
Kështu ka thënë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, bën të ditur RTS, transmeton KOHA.
Ai me këto fjalë është përpjekur të demantojë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, sipas të cilit kamionët me targa të Kosovës janë bllokuar në kufi me Serbinë.
Ndërkaq, ai u ka bërë thirrje të gjithëve në rajon që të ngrenë zërin kundër bllokadave të reja, që i ka vendos nga sot Qeveria e Kosovës.
“Kamionët me drithë për të gjithë banorët e Kosovës po presin në kufi, sepse Prishtina kërkon nga Beogradi të njohë pavarësinë e Kosovës”, citohet të ketë thënë Gjuriqi.
Sipas tij, autoritetet në Kosovë kërkojnë që institucionet e Serbisë në të gjitha certifikatat dhe dokumentet, në vend të procedurave të parapara me marrëveshjet me BE-në, të shkruajnë Republika e Kosovës dhe që Serbia në pikëpamje formale-juridike të nisë ta trajtojë Kosovën si shtetet e tjera, ndryshe drithi nuk mund të kalojë.
“Është i domosdoshëm reagimi urgjent i BE-së ndaj masave (të ashtuquajtura – siç citohet të jetë shprehur Gjuriqi) reciproke, dhe të mos heshtet dhe të kthehet koka anash. BE-ja është garantuese e marrëveshjeve që po shkelen sot dhe ka përgjegjësi për zbatimin e tyre në momentin kur e gjithë bota është e rrezikuar nga epidemia”, citon RTS komunikatën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë se Serbisë.
“Askush të mos mashtrohet se kjo është rruga për vazhdimin e dialogut”, është shprehur Gjuriqi.