Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas gjetjeve nga inspektimi i zhvilluar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDHP), ka dënuar Kolegjin “Mehmet Akif” me €12.000 për shkelje të privatësisë përmes vëzhgimit me kamera.
Kjo gjykatë, përmes një njoftimi dërguar mediave, thotë se kërkesa e ASHMDHP-së ka ardhur më 5 maj 2016, për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj Kolegjit ‘Mehmet Akif’, ndërsa më 9 shkurt 2018, Divizioni për Kundërvajtje i Gjykatës Themelore në Prishtinë, shqiptoi gjobën prej €12.000 për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamera në hapësira që nuk lejohet instalimi i kamerave.
“Zyrtarë të Agjencisë, gjatë inspektimit të zhvilluar në maj të vitit 2016, kishin konstatuar se ky kolegj kishte instaluar kamera në hapësira të punës, si zyra, mësonjëtore (klasa mësimi) si dhe hapësira sanitare (tualete të kolegjit). Kjo mënyrë e përpunimit të të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamera bie ndesh me dispozitat 62 dhe 64 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe si e tillë përbën shkelje të privatësisë së individit”, thuhet në vendimin e Themelores.
Gjykata thekson se vëzhgimi me kamera lejohet “vetëm nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pasurisë”, edhe atë “vetëm në hyrjet e ndërtesave”, por jo edhe “në hapësirat e brendshme të punës, e aq më pak në hapësirat sanitare, respektivisht tualete”.