Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamentit për Krime të Rënda, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit T.L shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet për veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 të Kodit Penal të Rëpublikës së Kosovës (KPRK) dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.
Kryetari i trupit gjykues Sahit Krasniqi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor fillestar, pranimit të fajësisë për veprat penale me të cilat e ngarkon akuza, të pandehurin T.L, e gjykoi me burgim të përjetshëm .
I pandehuri T.L. akuzohet se në dhjetor të vitit 2019 me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Sh.B, në atë mënyrë duke e shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqë të njëjtit ishin njohur më parë me rastin e shitblerjes së një parcele në shumë prej 157,000 €, të cilën e kishte blerë i pandehuri nga tani i ndjeri dhe mënyra e pagesës kishte qenë me rata, por meqë nuk kishte arritur t’ia siguronte ratën prej 14,000 €, fillimisht vihet në kontakt me të ndjerin përmes telefonit duke caktuar takimin se kinse ia kishte siguruar të hollat, pastaj me tu takuar me të ndjerin nisen në drejtim të fshatit Prelez, me ç ‘rast pas një bisede i pandehuri e ndal veturën dhe gjersa tani i ndjeri del nga vetura duke përdorur telefonin e tij, i njëjti e shfrytëzon momentin kur i ndjeri ishte me kokë të kthyer mbrapa, e qëllon njëherë në pjesën e pasme të kokës me revolen e tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, ndërsa pas aktit të kryer e thërret të pandehurin – vëllain e tij, në mënyrë që ta ndihmoj dhe së bashku shkojnë tek vendi i ngjarjes, marrin trupin e të ndjerit dhe e fusin në bagazh të veturës duke e dërguar në fshatin Kishnapole Komuna Gjilan, e hedhin në një përrockë me qëllim që t’i fshehin provat e veprës penale, pas kësaj i pandehuri i vetëm shkon tek pompa e derivateve merr një sasi të benzinës dhe kthehet përsëri në vendin ku paraprakisht e kishin hudhur trupin e të ndjerit, me ç’rast e spërkat me benzinë dhe ia vë flakën. Pas kësaj i pandehuri përdor telefonin e të ndjerit dhe dërgon sms babait dhe bashkëshortes së të ndjerit, duke ju shkruar se i ka marr të hollat dhe është nisur për në Gjilan për ta takuar një person.
Kryetari i trupit gjykues pas marrjes së mendimeve të palëve në procedurë, dhe me qëllim të efikasitetit dhe ekonomizimit të procedurës penale, për të pandehurin D.L, i akuzuar për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 lidhur me nenin 33 të KPRK-së, ka veçuar procedurën penale, dhe për të njëjtin do të formohet lëndë e cila do të merr numër të ri.
I pandehuri D.L, akuzohet se me qëllim të fshehjes së provave të kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë ka ndihmuar të pandehurin e parë-vëllain e tij, në atë mënyrë që me të kuptuar se kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Sh.B, j shkon në fshatin Prelez, takohet me vëllain e tij dhe e ndihmon që ta fusin të ndjerin në bagazh të veturës dhe ta dërgojnë në fshatin Kishnapole, me ç ‘rast e hudhin në një përrockë, në mënyrë që të fshehin të gjitha provat e kryerjes së veprës penale.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.