Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë i kryesuar nga gjyqtari Valon Kurtaj, ka vendosur që t’i drejtohet me kërkesë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë për ta ftuar dëshmitaren Milena Popoviq, ish-partneren e të ndjerit Oliver Ivanoviq në rastin ku po gjykohen gjashtë persona lidhur me vrasjen e tij.
Shkaku i mospranisë së dëshmitarëve është ndërprerë seanca lidhur me vrasjen e poltikanit serb, Oliver Ivanoviq të martën. Në mungesë së dëshmitares Milena Popoviq, ish-gruas së politikanit serb që u vra në 16 janar të 2018-tës, dhe të dy dëshmitarëve të propozuar nga i akuzuari N.S. dhe mbrojtësi i tij Faruk Korenica, është anuluar seanca e planifikuar për të mërkurën ndërkaq në seancën e sotme u vendos vetëm për hapa proceduralë.
Trupi gjykues i përbërë nga Valon Kurtaj, Valbona Musliu-Selimaj e Musa Koxheli vendosi ta refuzojë kërkesën e Popoviqit që të dëshmojë me videolidhje, pasi e konsideroi se është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. Popoviq, sipas gjykatës, është arsyetuar se s’mund të vijë shkaku i situatës politike e të sigurisë.
Gjykata do t’i drejtohet me kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për ta ftuar Milena Popoviqin përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar që e lehtëson misioni i EULEX-it. Siç ka paralajmëruar gjyqtari Kurtaj, afati që do të jepet dëshmitares Popoviq është në muajin maj, pasi është ftuar dhjetëra herë deri më tani.
Milena Popoviq aktualisht jeton në Serbi, mban pozitë në Ministrinë e Turizmit dhe Rinisë në Serbi dhe është anëtare e partisë në pushtet SNS.
Në këtë rast po gjykohen gjashtë persona që dyshohet se ndihmuan në forma të ndryshme vrasjen e Ivanoviqit dhe që dëmtuan procesin hetimor për zbardhjen çështjes penale për vrasjen e tij. Të akuzuar të tjerë që ndodhen në arrati janë Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq e Zheljko Bojiq. Motivi i vrasjes sipas aktakuzës ka qenë shtrirja e ndikimit politik e ekonomik të grupit të krimit të organizuar të Radoiçiqit dhe Veselinoviqit.