Qyteti i Berlinit kishte ndaluar një protestë të qytetarëve të planifikuar kundër masave për coronavirus.
Por, Gjykata Administrative e Berlinit ka hedhur poshtë këtë vendim dhe ka dhënë leje të mbahet protesta e 29 gushtit, raporton CNN.
“Tubimi kundër politikës së coronavirusit të qeverive federale dhe shtetërore të planifikuara për 29 gusht, 2020 nga iniciativa ‘Lateral Thinking 711’, mund të zhvillohet”, njoftoi përmes një deklarate gjykata dhe më tutje shtoi, “Organizatorët duhet të veprojnë në përputhje me kushtet, transmeton Telegrafi.
Në fillim të kësaj jave, qeveria e shtetit të Berlinit njoftoi se nuk do të lejojë të zhvillohet protesta, duke përmendur shkeljet e mundshme të rregullave kundër coronavirusit.
Sipas deklaratës së gjykatës, policia parashikon se në protestën e së shtunës do të marrin pjesë më shumë se 20 mijë njerëz.
Ndryshe, Gjermania deri më tani ka konfirmuar mbi 241 mijë raste me COVID-19 dhe 9359 njerëz kanë vdekur.