Kanë vazhduar polemikat mes institucioneve komunale në Prizren dhe atyre të sigurisë, për rrënimin e një pjese të objektit Abi Çarshia.
Aty u paralajmërua se Inspektorati i Komunës do ta vazhdonte rrënimin të enjten, por kjo gjë nuk ka ndodhur, raporton KTV.
Këtë herë, Gjykata Themelore ka lëshuar vendim për masë të përkohshme, që i ndalon çfarëdo intervenimi Komunës në këtë objekt.
Vendimin, gjykata e ka marrë bazuar në propozimin e kompanisë “ABI”, e cila ka kërkuar masë të përkohshme.
Madje, Prokuroria, ndaj 5 zyrtarëve komunalë në Prizren, përfshirë drejtorin Islam Thaçi, ka nisur hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Avokatët e kompanisë Abi Çarshia insistojnë se veprimet e Komunës janë të paligjshme dhe kërkojnë kompensim për dëmet e shkaktuara.
E, ata mohojnë se ndërhynë në ndonjë formë, në vendimet e institucioneve të drejtësisë.
Ditë më parë, në rrjete sociale u shfaqën fotografi të drejtorit të Policisë në Prizren me pronarët e kompanisë ABI.
Njëri prej tyre, Irfan Fusha, ka qenë kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.
Por, Gjykata në Prizren kishte lëshuar dy vendime të ndryshme brenda pak ditësh.
Vendimi i parë i gjykatës ia refuzoi “Abi Çarshisë” si të pabazuar, kërkesën për masë të përkohshme.
Por, një tjetër vendim i gjykatës së njëjtë e hodhi poshtë atë, duke ndaluar Komunën të vazhdojë me rrënimin.
KTV-ja ka pyetur Gjykatën Themelore në Prizren si është e mundur që i njëjti institucion të nxjerrë dy vendime të kundërta brenda pak ditësh, por zyrtarë të saj janë arsyetuar duke thënë se vendimi i parë është nga Departamenti Civil e i dyti në favor të “Abi Çarshisë”, nga Departamenti i Krimeve të Rënda.
Edhe të dielën, zyrtarë të Komunës kishin shkuar për ta vazhduar rrënimin, por ishin penguar nga Policia me arsyetimin se Prokuroria ka lëshuar vendim që ndalon veprimet e Komunës.