Gjykata e Nju Jorkut dënon Donald Trumpin

Prishtinë | 10 Jan 2025 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Gjykatësi i Nju Jorkut, Juan Manuel Merchan, i cili kryesoi çështjen e parave të “heshtura” të Donald Trumpit të premten, e dënoi presidentin e zgjedhur me “lirim të pakushtëzuar”, që do të thotë se ai tani është një kriminel i dënuar në sytë e ligjit të shtetit të Nju Jorkut, por nuk do të përballet me dënime të mëtutjeshme.

“Kjo ka qenë një përvojë shumë e tmerrshme”, tha Trumpi, duke folur në distancë nga shtëpia e tij në Florida kur u lejua t’i drejtohej gjykatësit, shkruan NBC News.

“Është bërë për të dëmtuar reputacionin tim në mënyrë që t’i humbas zgjedhjet”, tha ai. “Unë jam plotësisht i pafajshëm. Nuk kam bërë asgjë të keqe”, shtoi tutje Trumpi.

Dënimi erdhi vetëm 10 ditë përpara se Trumpi të betohet si presidenti i 47-të i vendit.

Avokatët e Trumpit kishin kërkuar vazhdimisht të pezullonin procedurën, të cilën gjykatësi Merchan e planifikoi javën e kaluar. Apelimet e tyre ndaj Merchanit, dy gjykatave të apelit shtetëror dhe madje edhe gjykatës më të lartë të vendit gjatë javës së kaluar, ishin të pasuksesshme. Shpresa e fundit e Trumpit, Gjykata e Lartë e ShBA-së, refuzoi të bllokojë procedurën në një vendim të enjten vonë. 

Të ngjashme