Gjykata e obligon Kurtin të japë dëshmi si dëshmitar në Prokurorinë Speciale javën e ardhshme

Prishtinë | 28 Shk 2025 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka urdhëruar dëshmitarin Albin Kurti që të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij më 4 mars 2025, në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Vendimi i gjykatës, i datës 21 shkurt 2025, e obligon dëshmitarin të jetë i pranishëm në seancë për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me rastin në fjalë.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Mirlida Gashi, zëdhënëse e gjykatës.

Ndërkohë, më 28 shkurt 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar përmes emailit përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit lidhur me këtë urdhër gjyqësor.

Kryeministri ka kërkuar nga gjykata që të urdhërojë Prokurorinë që Kurtin ta marrë në intervistim në objektin e Zyrës së Kryeministrit.

Të ngjashme