Gjykata Themelore e Prizrenit, të hënën, ka vendosur për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Këshillit Drejtues të universitetit “Ukshin Hoti” lidhur me zgjedhjen e rektorit të këtij institucioni të lartë të arsimit.
Ky vendim i gjyqësorit është marrë si masë e sigurimit, pas padisë që rektori aktual i UPZ-së, Ramë Vataj, ka bërë ndaj vendimit të KD të UPZ-së, për zgjedhjen e Ismet Temajt në postin e rektorit të këtij universiteti, shkruan sot Koha Ditore.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, Gjykata ka vendosur që të caktohet masa e përkohshme për shtyrjen e vendimit të KD të UPZ-së të datës 10 gusht 2018, i lidhur me vendimin e KD nr.44/2018 deri në vendosjen përfundimtare të padisë së bërë nga Ramë Vataj. Tutje Gjykata ka vendosur që të shtyhet ekzekutimi i vendimeve të sipërpërmendura si masë e sigurimit.
Paraprakisht Gjykata ka detyruar palën paditëse, në këtë rast Ramë Vatën që në afat prej tre ditësh të rregullojë legjitimitetin pasiv të palës, duke përcaktuar palën e paditur, përkatësisht të paraqesë si palë të paditur UPZ-në dhe jo Këshillin Drejtues të UPZ-së.