Seanca e parë fillestare e gjykimit ndaj kryetarit të komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili akuzohet për veprën penale “konflikt i interesit”, pas dy dështimeve të njëpasnjëshme për shkak të mungesës se të akuzuarit, ende nuk është caktuar nga gjykata se kur do të vazhdojë.
Gjyqtari i rastit, Sylë Lokaj, ka bërë të ditur se për shkak të angazhimeve profesionale nuk ka mundur ta caktoj ende datën e gjykimit.
Mirëpo, ai ka theksuar se shumë shpejt do e caktojë datën për mbajtjen e seancës fillestare të gjykimit ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova.
Haki Rugova akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjakovës për veprën penale “konflikt i interesit”, dhe i njëjti dy herë me radhë nuk është paraqitur në seancën e shqyrtimit fillestar.
Gjyqtari Lokaj kishte paralajmëruar urdhër arrest për Rugovën, në rast se e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt dhe nuk është paraqitur në gjykim.
Ndërsa, Rugova i kontaktuar nga KALLXO.com, ishte arsyetuar se gjendet jashtë shtetit dhe nuk kishte pranuar ftesë për pjesëmarrje në gjykimin ndaj tij.
Gjyqtari Lokaj, poashtu ka bërë të ditur se pasi të caktohet data për mbajtjen e seancës ndaj të akuzuarit Haki Rugova, ky i fundit do ftohet në mënyrë të rregullt për të marr pjesë në gjykimin e tij.
Në kallëzimin penal të kësaj Agjencie shpjegohej për dyshimet ndaj kryetarit të Istogut.
“Haki Rugova dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës sipas aktivitetit të prokurimit ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”, thuhej në kallëzim.
Aty tregohet se tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës, vëllait të Haki Rugovës, në vlerë prej 289,119.85 euro, kështu duke mundësuar interes financiar për të [Haki Rugovën] dhe personin juridik që ka të bëjë me të”.
Sipas kallëzimit të Agjencisë Kundër Korrupsion informacionet kjo Agjenci i kishte marrë nga BIRN dhe Internews Kosova, pasi që ky rast ishte raportuar në platformën për raportim të korrupsionit.
“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ kundër Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale: konflikt i interesit”, thuhej në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.
Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore të Pejës, por ajo është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë nga Prokuroria e Pejës për të qenë një hetim i pavarur me arsyetimin se prokurori i rastit në Pejë, Haxhi Sinani njihet personalisht me të dyshuarin dhe është në raporte shoqërore me të njëjtin.