Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Feim Berishës, që rrahu një grua në një market në Prishtinë.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit me propozim për ekzaminim psikiatrik kundër të pandehurit F.B.,për shkak të veprës penale Sulmi nga neni 184, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 nënparagrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit me propozim për ekzaminim psikiatrik kundër të pandehurit F.B. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej prej një muaj dhe ka urdhëruar që ndaj të njëjtit të bëhet ekzaminimi psikiatrik.
Të pandehurit F.B. i është caktuar masa e paraburgimit në bazë të nenit 187 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.2, 1.2.3, të KPP-së lidhur me nenin 509 par 1 nën paragrafi 1 dhe ka dyshim nga neni 1.2 dhe 1.3 të KPPK-së.
Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 24.10.2021, brenda Qendrës Tregtare “Interex”, në Prishtinë i pandehuri F.B. pas një mosmarrëveshje të atëçastshme verbale me të dëmtuarën S.B.H, në lidhje me shportat për furnizimin me ushqim ku gjatë blerjes së gjërave ushqimore të njëjtit nuk kishin pasur hapësirë të mjaftueshme për kalim ashtu që si pasoj e kësaj i pandehuri e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me grushte në kokë me ç’rast e dëmtuara ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.