Gjykata Komerciale cakton gjykatësin që do të merret me rastin e Klan Kosovës

Prishtinë | 02 Gus 2023 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Komerciale ka caktuar gjyqtarin që do ta merret me rastin e Klan Kosovës, mirëpo zëdhënësja e këtij institucioni nuk e ka treguar emrin e tij. Klan Kosova ka dorëzuar padi për konflikt administrativ dhe propozim për shtyrjen e ekzekutimit të të vendimit të Ministrisë.

Për të caktuar masën e sigurisë, Gjykata ka kohë deri më 4 gusht. Në rast se nuk caktohet një masë e tillë, sipas Ehat Miftarajt të IKD-së, Klani duhet të mbyllet. Për këtë çështje ka pasur reagime të shumta nga ambasadorë, gazetarë, opozitarë e shoqëri civile, duke e parë vendimin e MINT-it si përpjekje të pushtetit për të goditur mediet.

Gjykata Komerciale dje ka pranuar dosjen e Klan Kosovës dhe për t’u marrë me të “sipas procedurave të gjykatës” është caktuar edhe gjyqtari.

Zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, Albënora Bekteshi- Hoti, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se vendimi lidhur me çështjen e Klan Kosovës do të merret brenda afatit tre ditor, pra deri më 4 gusht.

“Ju njoftoj në Gjykatën Komerciale të Kosovës, përkatësisht Dhomat e Shkallës së Parë më 1 gusht 2023, është pranuar padia për anulimin e vendimeve kontestuese dhe kërkesa për shtyrjen e ekzekutimeve të tyre. E njëjta sipas procedurave të gjykatës i është ndarë gjyqtarit të  Dhomave të Shkallës së Parë, dhe vendimi lidhur me këtë çështje do të merret brenda afatit ligjor prej tre (3) ditëve siç përcaktohet me dispozitën e nenit 27 paragrafi 1 të Ligjit për Gjykatën  Komerciale”, ka thënë ajo.

Në Dhomat e Shkallës së Parë janë gjithsej 11 gjyqtarë, pra njëri prej tyre do të merret me rastin e Klan Kosovës, mirëpo pavarësisht insistimit të Gazetës Express që ta marrë vesh emrin e gjyqtarit, Bekteshi- Hoti tha se nuk mund ta tregojë.

Por në rast se deri më 4 gusht nuk merret vendimi për masën e sigurisë ndaj Klan Kosovës, Ehat Miftaraj nga IKD, thotë se Klani duhet të mbyllet.

“Arsyeja pse kërkohet masë e sigurisë është që të parandalohen dëmet që janë të pariparueshme për kompaninë e caktuar. Në rastin konkret nëse gjykata nuk vendos masë të sigurisë, kjo nënkupton që Klan Kosova duhet të mbyllet, gazetarët, kameramanët, i gjithë stafi duhet të shkojnë te shtëpia. Pra një media, një biznes që ka operuar qe 15 vjet duhet të pezullojë aktivitetin derisa të vendosë gjykata, që mund të marrë 2-3 vite”, ka thënë Miftaraj në KTV.

Juristja e medias, Flutura Kusari, sot ka treguar kronologjinë e tentativës për mbylljen e Klan Kosovës.

Ajo ia listuar të gjitha hapat e qeverisë një nga një, për mbylljen e Klan Kosovës

Ndërkaq, në shenjë proteste, dje gazetarët nga të gjitha mediet kanë bojkotuar konferencën e thirrur nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Të ngjashme