Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka mbajtur dëgjim publik për Projektligjin për Gjykatën Komerciale, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësues të institucioneve dhe ata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimet dhe vërejtjet lidhur me këtë proces.
Deputetja e VV-së, Doarsa Kica-Xhelili tha se ka vonesa në shqyrtimin e lëndëve të bizneseve, duke shtuar se projektligji duhet të votohet pa vonesa.
“Qëllimi i këtij diskutimi ndërlidhet që projektligji që përfundimisht votohet të jetë i realizueshëm. Në Kosovë shqyrtimi dhe përfundim i rasteve të kësaj natyre merr kohë deri 8 vjet”.
Deputeti nga LDK-së Driton Selmanaj ka pyetur përfaqësuesit e KGjK-së dhe MD-së sa lëndë të natyrës komercial i kanë në punë gjatë një viti.
“Kjo është nismë, në vitin 2013 Kosova ka riorganizuar sistemin gjyqësor. A bie ndesh më strukturën ndesh krijimi i kësaj Gjykata, a do të dëmtonte sistemin unitar”, ka pyetur Selmanaj.
Zv. sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari ka treguar se kanë pranuar numër të madh të komenteve.
“Para se me ardh te hartimi në një proces të gjatë diskutimesh është hartuar koncept dokumenti. Projektligji është i ndarë në shtatë kapituj dhe përbën 39 nene. Kemi pranuar një numër të konsiderueshëm të komenteve dhe aty ku ka pasur arsyetime janë përfshirë”.
“Palët në procedurë janë bizneset. Kurse sa i përket mjeteve të jashtëzakonshme, nuk është çështja e Gjykatës, por çështje e tendencës për me e rrit efikasitetin”, tha ai.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Astrit Hoti, tha se kanë paraparë që të caktohet edhe lokacioni i gjykatës dhe se propozimet e tyre janë në përputhje me Kushtetutën.
“KGjK komentet që i ka dhënë janë konform Kushtetutës dhe jemi të gatshëm që këtë punë ta qojmë përpara, pasi që projektligji që na ka ardhur. KGjK ka paraparë që të caktohet edhe lokacioni i kësaj gjykate”.
Ardi Shita, nga Oda Ekonomike Amerikane, tha se Gjykata Komerciale do të duhej të krijohej më parë.
“Ne mendojmë që çështja e kësaj Gjykate është dashtë me ndodhë më herët, trajtimi i problemeve sektor për sektor është zgjidhja më e mirë. Ne jemi në dispozicion për me dhënë kontributin tonë”.
Lulzim Aliu përfaqësues i OSBE-së, ka kërkuar që të bëhet një specifikim më i qartë për pagat e gjyqtarëve.
“Ju i keni marr të gjitha me shkrim, sa i përket pozicionimit duhet të rishikohen edhe njëherë për të theksuar se sa qëndroj gjykata brenda sistemit aktual apo në një nivel të gjykatës së veçantë”.
Mirëpo Rreze Hoxha, nga GLPS thotë se krijimi i Gjykatës Komerciale, do të kishte dëme më të mëdha, se sa të ofronte zgjidhje për problemet e bizneseve, raporton EO.
“Ne konsiderojmë se zgjidhja e ofruar në këtë rast nuk do të arrin t’i zgjidh këto probleme, por do të sjellë më shumë dëm. Ne jemi duke krijuar një gjykatë që gjykon probleme administrative”.