Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë vendos për ligjshmërinë e masave izoluese

Prishtinë | 30 Nën 2021 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka vlerësuar se masat kufizuese kundër pandemisë, si ora policore, mbyllja e shkollave dhe kufizimi i kontakteve, kanë qenë të ligjshme. Ky vendim mund ta hapë rrugën për masa të mëtejme.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë erdhi vetëm disa orë para se Kancelarja në largim, Angela Merkel, të takohet me pasardhësin e saj, Olaf Scholz, dhe me udhëheqësit rajonalë të 16 shteteve gjermane për të diskutuar rreth masave të reja.

Shefi i stafit të Merkelit, Helge Braun, i tha televizionit RTL se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta tregojë “rrugën që duhet ta ndjekim”, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.

Agjencia AFP raporton se nënkancelari në pritje i Gjermanisë, Robert Habeck, të martën në mëngjes bëri thirrje për masa më të ashpra kufizuese për ta ngadalësuar përhapjen e sëmundjes.

“Ajo që duhet të ndodhë është absolutisht e qartë: kontaktet duhet të pakësohen”, tha bashkudhëheqësi i Partisë së Gjelbër, i cili gjithashtu bëri thirrje që personave të pavaksinuar t’u ndalohet hyrja në të gjitha hapësirat publike, me përjashtim të dyqaneve esenciale.

“Do të kemi nevojë për masa të reja të njëtrajtshme për ta kaluar dimrin”, shtoi Habeck, duke u bërë thirrje rajoneve federale që t’i zbatojnë edhe opsionet që tashmë i kanë në dispozicion, si anulimi i tregjeve të Kërshëndellave.

Të ngjashme